E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mësuesit paguajnë më shumë taksa se kryeministri

Menjëherë pas deklaratave të kryeministrit në mbledhjen e qeverisë në lidhje me taksën progresive dhe reformën në arsim, ka reaguar përmes Tuiterit kryesocialisti Rama. Në reagimin e tij, kreu i selisë rozë i cilëson deklaratat e Berishës si përralla  që nuk kanë lidhje me realitetin e jetës së mësuesve.

Mësuesit paguajnë më shumë taksa se kryeministri, blejnë më pak se më parë dhe dëgjojnë përralla që s`kanë lidhje me realitetin e jetës së tyre, shprehet Rama.

Ai shton se programi i ri i PS-së do të ulë taksat e do të zëvendësojë korrupsionin e paaftësinë me transparencën e meritën, duke e bërë arsimin shqiptar më europian

Berisha: Reforma të tjera në arsim  

Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies ka qenë sot tema kryesore e mbledhjes së qeverisë. Për këtë, mësuesit do të përfshihen në një proces reformimi dhe trajnimi për të mbajtur vendet e tyre të punës.

Sipas Berishës, rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe nivelit profesional të mësuesve do të jetë në qendër të reformës në arsim. Ai i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit hartimin e një plani veprimi për reformën në kualifikim e mësuesve.

Qeveria do të gjejë të gjitha mënyrat për të vendosur në krye të projekteve të saj cilësinë e degëve të mësuesisë. Ne këtë vit duhet të ndërmarrin të gjitha vendimet në mënyrë që degët e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë. Është e domosdoshme të përshtatim kriteret dhe format më suksesshme, të zbatojmë praktikat europiane në përgatitjen e mësuesve. Është e domosdoshme që rreth 40 mijë arsimtarë të vendit të kenë mundësinë për kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre. Nuk ka gjë më serioze në shoqëri sesa arsimi, tha Berisha.

Duke qëndruar te arsimi, Berisha u ndal te investimet, duke theksuar se arsimi ka qenë dhe do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së tij. Ndryshime të thella dhe rrënjësore janë bërë në sistemin arsimor. Janë bërë investime serioze që nga shtrirja e internetit në çdo shkollë dhe po ecin për të shtrirë internetin në çdo klasë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 60 për qind e shkollave ekzistuese të vendit. Ndryshime rrënjësore janë bërë edhe me pajisjen me bazën laboratorike në shkolla, por përsëri në politikën tonë mësuesi mbetet në qendër të përpjekjeve tona, tha Berisha.

Kreu i qeverisë gjeti rastin të sulmonte edhe kryetarin e PS dhe propozimin e tij për taksën progresiste. Berisha tha se taksën progresiste, Rama e ka për biznesmenët e tij. Këtë problemin e kësaj taksës progresiste e ka me biznesmenët e tij, pasi ata nuk e sponsorizojnë më qëkur u largua nga bashkia. Nuk i japin më asnjë kacidhe për partinë sepse nuk ka më leje ndërtimi duke bllokuar lejet e të tjerëve. Deri dje nuk e shqiptoi taksën progresiste dhe nuk pati ndonjë projekt për bashkinë, tha Berisha. / G.N. / Redaksia online

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›