E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet e tragjedise se Otrantos: Duam dëmshpërblim

VLORË- Shteti shqiptar duhet të ndihmojë që familjet e viktimave të tragjedisë së Otrantos të dëmshpërblehen. Anija 'Kater i Radës' të kthehet në Vlorë e të bëhet muze për të kujtuar të gjithë ata që u mbytën në det". Kështu ka deklaruar dje përfaqësuesja e familjarëve të viktimave, Pushime Çala. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Çala pohon se po mbushen 13 vjet që nga ngjarja e rëndë, dhe ende ka familje që enden dyerve të gjykatave italiane duke kërkuar dëmshpërblimin që u takon.“Janë të shumta familjet që nuk janë dëmshpërblyer. Për këtë ka faj dhe avokatja Natasha Shehu, për të cilën familjarët kanë ngritur padi. Shehu nuk është paraqitur në seancat e fundit gjyqësore, me pretekstin se është e sëmurë. Për sa i përket dëmshpërblimeve, duhet të ishte shteti shqiptar ai që duhet t'i ndante. Kjo, për faktin se edhe një pjesë e familjarëve që i kanë marrë, i kanë marrë nëpër rrugë.”-tregon zonja Cala. Ajo shpjegon se janë dy procese gjyqësore që po zhvillohen paralelisht për ngjarjen e tmerrshme të ’97. Procesi gjyqësor në Gjykatën e Apelit, ku të akuzuarit po ashtu edhe familjarët kanë apeluar vendimin për dënimin e dhënë ndaj fajtorëve të ngjarjes. Ndërsa, procesi tjetër është kundër avokates Natasha Shehu, e cila akuzohet për abuzime me dëmshpërblimet ndaj familjarëve. Pyetjes nëse i ka ndihmuar shteti shqiptar përgjatë kësaj kohe ajo i është përgjigjur “Shteti shqiptar ka qëndruar indiferent ndaj kësaj tragjedie. Ndërsa shteti italian përgjigjet siç duhet ndaj qytetarëve, edhe pse mban përsipër barrën e fajtorit. Ata që humbën jetën ishin njerëz të këtij vendi: nëna, fëmijë, foshnje. Shteti duhet të ishte dhe duhet të jetë pranë këtyre familjeve. Kjo tragjedi nuk është përmendur asnjëherë. Është lënë në harresë, edhe pse është tragjedia më e madhe detare, ku humbën jetën më shumë se 80 njerëz.Ajo bën apel për dëmshpërblim të familjeve të viktimave dhe kthimin në Shqipëri të anijes "Kater i Radës". Ajo duhet të kthehet në një muze për të kujtuar të gjitha viktimat e tragjedisë së Otrantos. “I bëjnë apel shtetit shqiptar që të zgjojë kujtesën edhe për këto familje, të cilat ende qajnë të afërmit e tyre. Të ndihmojë me sa të mundet për dëmshpërblimet, që edhe ne qytetarët e këtij vendi të ndiejmë se ka shtet”- mbyll intervistën e saj përfaqësuesja e familjarëve të viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Otrantos.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›