E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fanatics": U dhunuam, s'ka pasur asnjë ofezë politike

TIRANE - Grupimi i tifozëve të Tiranës "Tirona Fanatics" ka denoncuar dhunën e Policisë së Shtetit gjatë ndeshjes me Skënderbeun, duke nënvizuar se kjo dhunë ka qenë sistematike edhe më parë, por të dielën ajo u bë masive ndaj dhjetëra tifozëve bardheblu, kur në pjesën e dytë u nxorën me dhunë nga stadiumi. Gjatë një deklarate për shtyp, tifozët e Tiranës e kanë quajtur të tepruar, të panevojshme dhe të pajustifikuar këtë veprim të forcave të rendit ndaj tyre, dhe shtojnë se një pjesë e mirë e të dhunuarve brutalisht janë tifozë ende jo në moshë madhore. 

Sipas këtij grupimi, është i pashpjegueshëm shkaku i kësaj dhune të forcave të rendit, ndërkohë që mohojnë kategorikisht se gjatë mbështetjes së skuadrës së Tiranës të ketë patur ofeza politike. Po në këtë deklaratë thuhet se tifozët janë dhunuar brenda në stadium, më pas gjatë shoqërimit të tyre deri në furgonët e policisë, jashtë stadiumit, si dhe gjatë rrugës drejt Komisariatit numër 1. Ndërkohë, sipas tifozërisë së Tiranës, është i pashpjegueshëm indiferentizmi i drejtuesve të klubit të Tiranës. 

Kohët e fundit, drejtuesit e Tiranës kanë kërkuar me çdo kusht mbështetjen e tifozëve bardheblu, të cilët nuk e kanë kursyer asnjëherë, edhe në momentet kur rezultati më i mirë për skuadrën e Tiranës ishte barazimi. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›