E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fanella e Kombëtares si ajo e Greqisë

Mediat në Tiranë e kanë kritikuar Kombëtaren shqiptare për fanellat që i kanë bartur në takimin kundër Zvicrës. Kuqezinjtë kanë dalë në fushën e lojës me një uniformë duke qenë larg ngjyrave kuqe zi. Shtypi shqiptar këtë e ka quajtur skandaloze, pasi fanella e Shqipërisë i ngjan asaj të Greqisë.

Pas humbjes nga përfaqësuesja e Zvicrës me rezultat 2:0 në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror ‘Brazili 2014’, Kombëtarja shqiptare është kritikuar nga mediat në Tiranë.

Kuqezinjtë nuk janë kritikuar për mënyrën se si kanë luajtur dhe si i kanë pësuar golat me fajin e tyre, por për fanellat që kanë bartur të martën mbrëma në stadiumin e Luzernit.

Të përzgjedhurit e Gianni de Biasit të martën kanë dalë në fushën e lojës me një uniformë që s’është përdoruar asnjëherë, duke qenë larg ngjyrave kuqe zi.

Fanella e Shqipërisë kundër Zvicrës i ngjate asaj të Greqisë, derisa e përditshmja sportive Sporti Shqiptar të mërkurën këtë gjest të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) e ka quajtur skandaloz.

Sipas tyre, drejtuesit e FSHF’së mirë do të ishte të bënin punën që u takon sesa të merren me deklarata kundër pesëshesh shqiptare të Zvicrës, Shaqirit, Xhakës, Behramit, Xhemajlit e Mehmedit.

“Vërtet në Zvicër do të luanim me uniformën e dytë, jo tradicionalen, por një gjë mbetet e pashpjegueshme, çfarë përfaqësojnë shiritat blu? Uniforma e kuqezinjve në sfidën me Zvicrën ishte identike me atë që përdor Kombëtarja greke, me të vetmin ndryshim, logon e federatës. Zotërinj të Federatës, turpi më i madh është ajo që u keni servirur shqiptarëve në Zvicër. Thjesht drejtuesit e Kombëtare sonë hiqen si patriotë, por veprojnë si “tradhtarë” ose të paaftë”, shkruan Sporti Shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›