Xhaka kurseu kuqezinjtë ? (video)

Granit Xhaka po vazhdon të përballet me presionin edhe tash kur ndeshja mes Zvicrës e Shqipërisë (2:0) i takon një të kaluare. Mesfushori kosovar ishte në mesin e pesë futbollistëve shqiptarë që të martën i mbrojtën ngjyrat e helvetikëve përballë kuqezinjve.
Para dhe gjatë ndeshjes, Xhaka ishte nën siklet të madh, ngase një numër i konsiderueshëm i tifozëve shqiptarë e quanin ‘tradhtar’ për faktin se tashmë nuk është futbollist i Shqipërisë, por i Zvicrës.
Ndërsa, pas ndeshjes, zviceranët janë ata që iu kanë hedhur në qafë futbollistit prishtinas. Kjo për shkak se Xhaka në minutën e 84-të të takimit e lëshoi një rast ideal për ta shënuar golin e tretë për Zvicrën ndaj Shqipërisë.
Në futboll shpesh ndodh që futbollistët të humbasin asi shanse fenomenale, por dështimi i Xhakës para portës së Samir Ujkanit vërtet ishte shumë i çuditshëm, derisa mediat zvicerane bindshëm thonë se Xhaka qëllimisht nuk e ‘ndëshkoi’ ekipin e kombit të tij.
Gazeta e përditshme zvicerane Blick shkruante se rezultati do të ishte 3:0 për Zvicrën, por Xhaka nuk e realizoi një gol, duke e falur Shqipërinë që e ka në zemër e gjak.
Ndërkohë, edhe opinioni shqiptar e ka fituar bindjen se Xhaka qëllimisht nuk shënoi gol ndaj Shqipërisë, me ç’rast edhe tifozët shqiptarë dikur filluan t’i zbutin qëndrimet negative ndaj tij.
Për këtë rast ka folur edhe vetë mesfushori i Borussia Monchengladbach. “Nuk e kam kontrolluar topin si duhet, për mua nuk është e rëndësishme a shënoj apo jo. Më shumë ka rëndësi të arrijmë fitore”, ka deklaruar Xhaka.
Ndërkohë, edhe trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, është çuditur se si Xhaka dështoi ta konkretizojë në gol shansin e tij. “Ai nuk e ndali mirë topin, ishte i plogësht, por atë rast duhej ta shndërronte në gol. Duhet t’i kuptojmë sepse ata ishin nervozë për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në stadium ”, ka thënë Hitzfeld.