Fansat e Michael Jackson shfaqje spektakolare për Halloween

HAMBURG, 31 tetor /ATSH-DPA/- Njerëz të veshur si zombi rikrijuan sot koreografinë e famshme të hitit “Thriller” të Michael Jackson të lançuar në vitin 1982, në stacionin qendror të Hamburgut për të festuar Halloween-in.
Fansat e Michael Jackson ofruan një shfaqje spektakolare për Halloween. Rreth 800 spektatorë u mahnitën nga performanca e hitit kult të “Mbretit të Popit” në stacionin kryesor të trenit.
“Rreth 150 kërcimtarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra performuan lëvizjet ikonike të hitit të frikshëm”, njoftoi sot kompania “Stage Entertainment”.
Shfaqja u organizua nga një klub fansash. Pas performancës në Wandelhalle, ose Sallën e Madhe, kërcimtarët e veshur si zombi vazhduan shfaqjen e jashtëzakonshme, duke udhëtuar me autobusë dykatësh drejt St. Pauli Piers, në Portin e Hamburgut nga ku morën tragetin për në Teatrin “Stage Theater an der Elbe”.
Michael Jackson, i cili u bë i famshëm me hite si “Billie Jean”, “Beat It” dhe “Thriller”, vdiq në vitin 2009 nga një mbidozë e propofolit anestetik. Ai ishte 50 vjeç.
Hiti “Thriller” u publikua në vitin 1982 në albumin me të njëjtin emër. //a.i/