E Diel, 1 Nëntor 2026

BUDAPEST – Orban, përjashtime nga sanksionet amerikane ndaj naftës ruse

BUDAPEST, 31 tetor /ATSH/ – Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, tha sot se do të përpiqet të bindë presidentin amerikan, Donald Trump, që t’i japë Hungarisë përjashtime nga sanksionet e reja të SHBA-së kundër naftës ruse, gjatë takimit të tyre javën e ardhshme.

Administrata Trump shpalli javën e kaluar sanksione ndaj kompanive kryesore ruse të naftës me lidhje shtetërore, “Rosneft” dhe “Lukoil”, një lëvizje që mund të ekspozojë blerësit e huaj të naftës, përfshirë klientë në Indi, Kinë dhe Evropën Qendrore, ndaj sanksioneve sekondare.

Ndërsa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë reduktuar ndjeshëm ose kanë ndalur importet e karburanteve ruse pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska më 24 shkurt 2022, Hungaria dhe Sllovakia kanë ruajtur furnizimet me naftë nga tubacioniet ruse.

Orban, aleat i Trumpit, i cili pritet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme për takimin e tij të parë bilateral me presidentin që nga rikthimi në detyrë në janar, ka argumentuar prej kohësh se Hungaria, nuk ka alternativa të qëndrueshme ndaj naftës ruse.

“Duhet t’i bëjmë amerikanët të kuptojnë këtë situatë të çuditshme nëse duam përjashtime nga sanksionet amerikane që godasin Rusinë”, tha Orbán në një intervistë për radion shtetërore.

Lideri hungarez, i konsideruar gjerësisht partneri më i afërt i presidentit rus Vladimir Putin në BE, ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Kremlinin, pavarësisht luftës, dhe ka mbajtur qëndrim konfrontues ndaj Ukrainës, duke e paraqitur vendin fqinj si kërcënim të madh për sigurinë dhe ekonominë e Hungarisë.

Orban tha se administrata amerikane dhe Moska dëshirojnë t’i japin fund luftës, por se Ukraina dhe BE-ja janë pengesat kryesore për paqe. Megjithatë, një takim i planifikuar mes Trump dhe Putin në Budapest u anulua së fundmi, pasi zyrtarët rusë bënë të qartë se nuk pranonin një armëpushim të menjëhershëm. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›