Fantazia kreshnikiane e 1 milion kuqezinjve shtrihet edhe te sondazhet
Tek po pija dje një kafe te City Park, rreth orës 18:30, një mik më njoftoi se Vizion Plus do të publikonte rezultatet e sondazhit të dytë të Institutit Piepoli në mbrëmje.
I telefonova koleges Valbona Kurti të Vizion Plusit, për ta pyetur nëse kjo ishte vërtetë, dhe ajo më tha se rezultatet e sondazhit të dytë të Piepolit do të publikoheshin në 19:30.
Nxitova për në shtëpi që ta ndiqja drejtpërdrejt dhe i qetë publikimin e rezultateve të sondazhit dhe, gjatë ndjekjes, i dërgova edhe ndonjë SMS Valbonës për ta ndihmuar në interpretimin e rezultateve që po publikonte Instituti Piepoli.
Tek po drekoja sot, më vjen një SMS nga një mik, i cili më njoftoi se Kreshnik Spahiu më ka akuzuar mua si autor të manipulimit të sondazhit të Piepolit! Kur kontrollova faqen online të gazetës SHQIP, si besova syve tek lexova këtë fjali: Sipas kuqezinjve, autorët e manipulimit të këtij sondazhi janë Andia Dragoi e Eduard Zaloshnja.
Një vajzë të quajtur Andia (mbiemrin nuk ia di) e kam takuar kalimthi para ca javëve, kur takova të fejuarin e saj, një i njohur i im. Emrin e Institutit Piepoli e kam dëgjuar për herë të fundit kur prezantoi para dy javësh sondazhin e parë të tij në Vizion Plus.
Se nga e fantazoi Kreshniku manipulimin e sondazhit të mbrëmshëm të Piepolit, që unë paskam bërë në bashkëpunim me këtë Andian, vetëm Zoti e di, por një mik me të cilin po drekoja më tha: Mos ia vër veshin Kreshnikut; ai fantazoi se do ti mblidheshin 1 milion kuqezinj në shesh në 7 prill e 1 maj, dhe vetëm 1500 i erdhën.
