E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosformatimi i KQZ-së bën nul statusin e pritshëm

arben-manaj-150x150Nga Arben Manaj

Ashtu siç edhe ishte pritshmëria, rruga e Shqipërisë politike drejt integrimeve evropiane do kalonte nëpër kurthe dhe do i nënshtrohej makinacioneve tipike ballkanike, me kosto jo të vogël politiko-financiare për vendin, por edhe me investime zemërthyera diplomatike deri në bezdi, nga ato qendra ku vendoset shumë për punët e botës dhe kontinentit tonë.

Është bërë i rëndomte tashmë fakti se Tirana tregohet intrasigjente deri në sekondat e fundit të lojës, madje edhe kur ka mbaruar koha e rregullt e funksionimit të institucioneve, në mosarritjen e konsensusit dhe marrëveshjeve politike, mes faktorëve dhe forcave kryesore për çështjet që kanë rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.

Tre ligjet e famshme pritet të miratohen të hënën e ardhshme, kur parlamenti praktikisht është ilegjitim, madje në këtë seancë është kërkuar të zgjidhet ngërçi i KQZ-së.

Por ky tejkalim procedurash është praktikisht e keqja më e vogël krahasuar me pasojat potenciale të mosfunksionimit siç parashikohet në ligj, i një institucioni kaq të rëndësishëm për çdo zgjedhje në botë, aq më tepër në rastin e Shqipërisë, ku këto zgjedhje do të certifikojnë ose jo marrjen e statusit të ardhshëm të vendit kandidat, tashmë tejet të vonuar në kohë.

Të hënën pritet të vijë në Tiranë një kalibër i lartë diplomatik i Departamentit të Shtetit, z. Moore, me gjasë për të ndikuar në gjetjen e një zgjidhje urgjente për funksionimin e këtij institucioni, që mund të prishë ose rregullojë zgjedhjet dhe rekomandimin e mëtutjeshëm për statusin në rast parregullsish.

Amerikanët janë shprehur haptazi kur kanë deklaruar zyrtarisht se: Ka argumente ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e Parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së. Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë.

Kjo është e mjaftueshme për cilindo që ndjen përgjegjësi politike dhe partneriteti strategjik, se kundër-argumentet dhe ofertat e pasinqerta për zgjidhjen e ngërçit, bien ndesh me filtrin amerikanë të problematikës, dhe për pasojë, me vetë qëndrimin e tyre zyrtarë.

Askush nuk meriton certifikatën e ndershmërisë politike për situatën e krijuar pas riformatimit paraelektotal të koalicioneve, me atë që ndodhi në politikën shqiptare, çka më pas u reflektua shqiptarçe në KQZ.

Padashur të hyj në teknikalitetet se nga anon më shumë balanca e të drejtës së veprimeve dhe ligjshmërisë, çekuilibrimi i një institucioni kaq vital dhe përcaktues për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në çdo vend, nisur edhe nga trashëgimia elektorale shqiptare, padyshim një KQZ, siç është sot, dhe e pariformatuar dhe pa një kompromis mes palëve, lë shumë hapësirë për shqetësim.

Nëse status-quo-ja nuk ndryshon, zgjedhjet janë të njollosura pa u hedhur asnjë fletë-votimi dhe nuk do ketë lumë që të lajë rolin e KQZ-së dhe organizatorëve zyrtar të zgjedhjeve.

Edhe pse ka kaluar boll kohë e mjaftueshme për të mbajtur shënime nga mbikëqyrësit e zgjedhjeve, dhe KQZ-ja do te duhet ti ishte rikthyer normalitetit të funksionimit, aktorët kryesorë të politikës, sërish e kanë shansin dhe detyrimin për të korrektuar dhe riformatuar këtë institucion, nëse realisht nuk kanë qëllime të mbrapshta në kurriz të integrimit dhe perspektivës së marrjes së statusit të shumëpërfolur.

Miratimi i tre ligjeve, edhe pse i mirëpritur si veprim i vonuar politik, është për tu vlerësuar, por praktikisht ai do të shndërrohet në një nul politik, nëse Shqipëria hyn në zgjedhjet e 23 qershorit me një komision zgjedhor kontravers dhe atipik.

Edhe pse tre ligjet e famshme ndihmojnë në forcimin e shanseve për një përgjigje pozitive për statusin në vjeshtë, ato realisht nuk janë përcaktueset për certifikimin perëndimor të një akti të tillë.

Nëse zgjedhjet do të njollosen dhe damkosen sërish si të parregullta dhe problematike, të mos ketë as më të voglin dyshim dhe iluzion se Shqipëria, edhe me tre ligjet e miratuara, do të mund të kaloj lumin dhe të mbërrijë në brigjet e BE-së.

Fushatat elektorale janë shansi që demokracia u jep administratorëve të mandatit të sovranit të shiten si të përkushtuar dhe në shërbim të popullit që i voton dhe interesave të tyre.

Por krijimi i infrastrukturës së nevojshme zgjedhore dhe funksionimi normal i institucioneve që merren me mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si KQZ-ja, janë më e pakta që mund tu shesin shqiptarëve se e meritojnë votën e tyre, për të mirën e integrimit të vendit, por edhe për aveniret e tyre politike, në fund të fundit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›