E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fantazma dhe fantazuesit e nacionalizmit

Nasho Bakalli

-Kryesocialisti Edi Rama, duke folur në një aktivitetit të PS-së me temë ‘Shqipëria Evropiane, në rajon e botë’, tha “Ne dhe Kosova duam të integrohemi në Bashkimin Evropian... Për të qenë partnerë seriozë nuk mund që të ushqejmë fantazmën e nacionalizmit ... “. Nga sa më sipër kuptojmë se qëllimi i kombit shqiptar është integrimi në BE. Kuptojmë gjithashtu se mjeti për të arritur qëllimin (integrimin në BE) nuk është ngritja e fantazmës së nacionalizmit, por zhdukja e fantazmës. Lind pyetja: sa kombi është në gjendje ta kuptojë nevojën e zhdukjes së fantazmës së nacionalizmit? Nacionalizmi është një ideologji e bazuar në besnikërinë e dikujt ndaj kombit. Dhe kombi është një bashkësi e imagjinuar. Kombi i ka të përcaktuara kufijtë territorialë, qeverinë, njerëzit, flamurin, himnin, historinë, dhe të gjitha llojet e veshjeve dhe krijimtarisë popullore që njerëzit besojnë se janë përbërësit thelbësore të një kombi. Kombi është një bashkësi e imagjinuar, sepse është i kufizuar në fushëveprimin e tij, sovraniteti është i ngjizur në dritë-hijet e iluminizmit, revolucioneve, demokracisë që shfronësuan e po shfronësojnë diktatorë. Sepse në mendjet e anëtarëve të tij, kombi është autoriteti më i lartë politik. Por jo autoriteti më i lartë ekonomik. Sepse pavarësisht pabarazisë dhe shfrytëzimit ekonomik dhe kufizimeve sociale që mbizotërojnë tek shumica e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit - kombi për shqiptarët konceptohet gjithmonë si një miqësi horizontale e thellë. Nga ana tjetër kombi mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Klasat, gjinia, raca, seksi, feja, bindjet ideologjike që dëshmojnë diferenca të theksuara shpesh mbulohen brenda idesë së kombësisë së përbashkët. Por ato mund të shërbejnë edhe si dallime për të përjashtuar individë ose grupe të caktuara nga kombi. Mund të shërbejnë edhe si ngjasime për të përfshirë hyrësit e rinj në bashkësinë e imagjinuar - kombi. Për këto e të tjera arsye politika shtetërore shqiptare, nuk duhet që të ushqejë ( luajë, gënjejë) fantazmën e nacionalizmit. Kjo është thelbësisht përjashtuese, sepse ajo i lë jashtë të tjerët; disa politikanë shqiptarë, në të dyja anët e kufirit, janë gjithashtu përjashtues. Për shembull. Besnikëria e Sali Berishës ndaj kombit, e gatuar me ideologjinë e sundimit diktatorial, ushqen fantazmën e nacionalizmit. Zoti e ruajt Shqipërinë dhe Kosovën nga kjo fantazmë deri më 23 qershor 2013.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›