Genc Pollo: “Alternativa e PS-së në shëndetësi çon në kolaps sistemin dhe redukton vendet e punës”
Ministri i Teknologjisë së Informacionit, takim me punonjësit e shëndetësisë në Berat
Ministri i Inovacionit dhe TIK, njëkohësisht Kryetari i Grupit të Punës së Deputetëve të PD-së për qarkun e Beratit, zoti Genc Pollo, ka zhvilluar një takim me punonjës të sistemit të shëndetësisë në Berat.
Gjatë këtij takimi zoti Pollo ka theksuar se pa personel mjekësor të mirëpaguar është vështirë të fillohet puna e rëndësishme dhe e vështirë e reformës në sistemin shëndetësor. Pa i motivuar njerëzit si në shëndetësi apo edhe në arsim është edhe më me pengesa rruga për të bërë një sistem që shërbimin e ka efektiv dhe eficent.
Gjithashtu, ai ka kujtuar një fakt mjaft të rëndësishëm për punonjësit e këtij sistemi, që ka të bëjë me rritjen e rrogave për infermierët dhe mjekët: “Në vitin 2005 rroga e infermierit ishte 150 mijë lekë të vjetra në 356 mijë lekë të vjetra që marrin sot, në 2013, dhe nga 226 mijë lekë të vjetra për mjekun në 2005 kalojmë në 580 mijë lekë të vjetra sot, në 2013. Ka qenë një politikë konstante e qeverisë dhe e Kryeministrit Berisha për rroga më të mira dhe ju e keni dëgjuar se politikat e mirëpagimit për personelin dhe motivimi financiar i punonjësve të shëndetësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.” – ka thënë ministri Pollo.
Duke u ndalur në Berat, deputeti i qarkut të Beratit, zoti Pollo ka thënë: “Në Berat ne kemi investime në sektorin e shëndetësisë, investime kapitale, në të gjitha sektorët. Kuptohet që nevojat këtu nuk mbarojnë kurrë, por para janë hedhur, edhe në kushtet e një krize botërore dhe evropiane, që nuk e ka lënë pa pasoja vendin tonë. Por, pavarësisht nga kjo, ekonomia ka funksionuar, papunësia nuk është rritur, nuk jemi detyruar të bëjmë shkurtime masive në personelin e shërbimeve publike, siç është shëndetësia, gjë që ka ndodhur në vendet fqinj, që përdorin euron ose që kanë monedhën e tyre. Pra, gjithkush mund të synojë për më mirë dhe mund të pretendojë akoma më shumë, por, krahasuar me vendet e tjera, për fat të mirë them se duhet të jemi shumë të kënaqur e shumë të gëzuar.”
Në vazhdën e fjalës së tij zoti Pollo ka bërë edhe një dallim mes dy alternativave, të PD-së dhe të PS-së, në sistemin shëndetësor, ku, sipas tij, alternativa e PD-së është jo vetëm më e mira dhe më eficente për një vend si Shqipëria, por ajo e Partisë Socialiste do ta çonte gjithë sistemin shëndetësor në kolaps dhe do të reduktonte automatikisht vendet e punës për punonjësit e këtij sektori mjaft të rëndësishëm: “Mendoj se megjithë defektet që mund të gjenden tek sistemi i sigurimeve shëndetësore, pra përmes kontributit të të siguruarit, në një fond të madh dhe përfitimit prej këtij fondi të atij që kthehet një moment në pacient, është një model që funksionon jo vetëm në Gjermaninë e Bismarkut, por funksionon në shumicën e vendeve evropiane. Dhe ky model i themeluar para 20 vjetësh është përmirësuar, është përsosur, gjatë këtyre dy dekadave.
E them këtë për të bërë një kontrast të qartë me alternativën që paraqitet përpara publikut nga Partia Socialiste dhe shefi i saj, Edi Rama. Nuk po i futemi Edi Ramës përsa i përket fjalët që thotë për infermieret, fjalët që thotë për mësueset, mënyrën se si trajton diplomatin, por po marrim gjërat më thelbësore: anulimi, asgjësimi, abrogimi, i sistemit të sigurimeve shëndetësore me një të rënë të lapsit, me një ligj me 71 vota, dhe zëvendësimi me sistemin britanik, ku gjithçka derdhet nga buxheti dhe gjithçka administrohet nga shteti, pra nga kjo strukturë publike, çka mund të jetë e mirë ose jo e mirë për Britaninë e Madhe, nuk jemi mbledhur këtu për të gjykuar atje, por në kushtet e Shqipërisë, si dhe në kushtet e vendeve të ngjashme, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë, Serbi, është një sistem që ne besojmë se absolutisht është një dizastër e vërtetë, sepse do të ngarkojë një strukturë të administratës publike me atë që vërtetë ka treguar se nuk e bënë dot, sepse ia lënë, relativisht, tregut dhe duke ia lënë ofruesit të shërbimit, kundrejt sigurimit, në vende si ky i yni dhe jo vetëm i yni, pasi ka dhe shumë vende të zhvilluara e të pasura, si Gjermania, funksionon më mirë.
Pra, sistemi shëndetësor i financuar nga buxheti, që do Edi Rama, do të çojë në kolaps dhe do të çojë në reduktimin dhe në pasoja direkte për secilin prej jush dhe pastaj për sistemin shëndetësor në përgjithësi. Është një kontrast përmbajtësor, është një kontrast i dukshëm, dhe do të mjaftonte vetëm gjysma e kësaj për ta skualifikuar alternativën. Ne besojmë dhe nuk vijmë këtu me një shpikje të re as me një eksperiment dhe as me një aventurë, por vijmë me një sistem të konsoliduar 20 vjet, i cili edhe në dhjetë vitet e ardhshme, edhe në 15 vitet e ardhshme, do evoluojë e do përmirësohet.”