E Diel, 1 Nëntor 2026

Qosja dhe leximi i shtrembër i historiografisë shqiptare

29-04-2013 / Nga Kastriot Dervishi

“Çlirimet” e pakuptimta të Rexhepit

Qosja, një agjitator komunist që e përdor keq si shembull krahasues historinë. Pavarësisht se Qosja është i lehtë për t’u lexuar se as e njeh historinë, “argumentet” e tij më së shumti bazohen te historia. Krahasimet e përdorura nga Qosja ato të formës nga otomanët te 21 janari, përçohen jo vetëm bajate por edhe në mënyrë të leshtë fëminore. Është në karakterin e Qosjes që lidh gjërat pa pikën e logjikës, por të mbështetura te njeriu që urren dhe që për ilustrim fut diçka nga koha e sulltanit, Avni Rustemit e del të plumbat e Gardës, natyrisht pa harruan ndonjë Gërdec në mes. Sikur në këto analiza të mos dukej në ballinë emri i Rexhep Qosjes, me siguri që do kuptoheshin si rreshta të shkruara prej një njeriu pa stabilitet në normalitet. Nuk është se unë po them ndonjë gjë të re, pasi Qosja asnjëherë nuk është marrë me studimin e historisë së Shqipërisë përveçse leksioneve gjysmake e primitive të historiografisë komuniste. Në këtë kuptim Qosja nuk ka si merret si shembull për historiografinë shqiptare pasi nuk ka konsultuar asnjë arkiv në shtetin shqiptar ku është baza e mundshme e së paku 80 vjet historie. Në gjuhën enveriste të njohur tashmë, Qosja flet në “emër të popullit”, ashtu siç fliste Enveri dje, apo siç bëheshin arrestimet në diktaturë. E shprehur kjo një herë por disa herë në fjalët “shqiptarët pyesin njëri – tjetrin” Qosja nuk shkon më larg se një agjitprop i zakonshëm i zyrave të Komitetit Qendror të PPSH-së. Meqë Komiteti Qendror ka pasur shumë agjitprop, Qosja nuk ka shkuar më shumë se agjitpropët e sektorit të bujqësisë të cilët më shumë merreshin me armikun e klasës sesa me buburrecin e patates.

“Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun i cili vret protestuesit duke i shpallur banditë, kriminelë, narkomanë, kurse protestën e tyre e quan puç, në organizimin e të cilit kanë marrë pjesë edhe kryetari i shtetit, edhe prokurorja e përgjithshme, edhe shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror?” – shkruan midis të tjerash Qosja.

Për një njeri që mëton që njeh historinë prej kohës së sulltanit, del krejt e zbuluar se qosja nuk di as emrat e institucioneve të Shqipërisë. kur flet për “Shërbimin e Sigurimit Shtetëror” Qosja e ka fjalën për Shërbimin Informativ të Shtetit. Por meqë me shërbim sekret ai kupton Sigurimin e Shtetit, gjuha e tij nuk shkon gjëkundi tjetër veçse atje ku dhemb, te Sigurimi i Shtetit. Për Qosjen dashuria e madhe për armën e dashur të Partisë së Punës nuk ka ku të shkojë. Respekti i tij për “Sigurimin Shtetëror” është shprehje e qartë e karakterit enverist në çdo qelizë të kujtesës së tij. Mirë që nuk ka shkruar më tej pasi nuk do dihej se ku ndalej. Qosja e di mirë se dikur kur vinte në Tiranë bënte karakteristika për shkrimtarët kosovarë që sipas tij ishin “reaksionarë”. Të tilla karakteristika që më shumë se çdo gjë duken të karakterit agjenturial janë ato në janarit 1970 kundër Hivzi Sulejmanit, Esat Mekulit, Enver Gjergjekut, Beqir Musliut, Hasan Mekulit, Vehap Shitës, Ali Aliut, etj, në kohën kur Qosja vizitoi i privilegjuar nga Tirana dhe Beogradi, Shqipërinë.

“Të gjitha çlirimet e Shqipërisë” 

Analiza e fundit e Qosjes është mbështetur te “Të gjitha çlirimet e Shqipërisë”. fjala “çlirim” është e barabartë edhe kur kemi osmanë, edhe kur kemi vetëm shqiptarë. Këtu nuk ka vetëm pasaktësi por edhe mosnjohje e keqdashje. Fjalën e ka për çlirime shoqërore (nocionet komuniste të revolucionit proletar) dhe për çlirime kombëtare (që në të vërtetë nuk kanë ndodhur fare).

“Çlirimi i parë” 

“Herën e parë Shqipëria është çliruar në vitin 1912 dhe është çliruar prej pushtimit të Perandorisë Otomane. Çlirimi i Shqipërisë prej pushtimit të Perandorisë Otomane sjell krijimin e shtetit shqiptar, por të shtetit jashtë të cilit do të mbesë gati gjysma e truallit etnik në të cilin shqiptarët ishin popullatë e vetme ose shumicë etnike dhe më shumë se gjysma e popullit. Në vitin 1912, Shqipërinë do ta çlirojnë prej pushtimit të Perandorisë Otomane intelektualët e paktë, që jetonin e vepronin jashtë Atdheut, borgjezia e formuar në botën e huaj dhe fshatarët e frymëzuar dhe të udhëhequr prej atyre intelektualëve. Ishte ky çlirimi i një populli prej pushtuesit të huaj dhe krijimi i një shteti të ri evropian jo tipik për çlirimet prej pushtuesve të huaj dhe krijimet e shteteve evropiane: fqinjët ballkanikë e kishin dëmtuar rëndë tërësinë e tij etnike!” – shkruan në mënyrë të papërgjegjshme Rexhep Qosja. Sikur lexuesi normal të mos jetë shqiptar, por p.sh. të jetë korean, do imagjinojë sikur Perandoria Osmane u largua nga territoret shqiptare nga një qëndresë e përgjithshme shqiptare dhe nga kjo lindi shteti shqiptar. Qosja i nxjerr pa rol ushtritë serbe, malazeze e greke. Në të vërtetë në rastin e vitit 1912, nuk kemi “çlirim” nga Perandoria Osmane pasi ushtari i fundit i saj u largua në vitin 1913. Në rastin e krijimit të shtetit shqiptar kemi përplasjen e dy blloqeve të mëdha: të aleancës sllave ballkanike të drejtuar nga Rusia dhe të Austro – Hungarisë e Italisë që kundërshtonin zgjerimin e shteteve ballkanike në drejtim të Adriatikut. Pushtimi i shumicës së trojeve shqiptare nga aleanca ballkanike, solli edhe Konferencën e Londrës, në të cilën fuqitë e mëdha përcaktuan shtetin shqiptar.

“Çlirimi i dytë” i 1924 

Në fakt Qosjes i ka shpëtuar ose nuk i vjen ndër mend shprehja e “komandantit legjendar”, sipas së cilës “Metalurgjiku i Elbasanit do ishte çlirimi i dytë i Shqipërisë”. Kjo thënie është hedhur bash në kohën kur Qosja vinte në Shqipëri e mrekullohej nga “arritjet e mëdha” të Partisë së Punës me shokun Enver në ballë. Nejse, e shkuar kjo, por vetëm një njeri si Qosja mund të radhisë si “çlirime” njëra pas tjetrës 1912-n dhe 1924-n.

Por teksa më 1912 Shqipëria qenka çliruar si me magji nga otomanët, në vitin 1924 ajo sipas Qosjes qenka çliruar nga ..shqiptarët, por në kuptimin shoqëror marksist – leninist nga feudalët. Dhe Qosja nuk e ka fjalën për asgjë tjetër veçse për grushtin e shtetit të qershorit 1924, në të cilin opozita e kohës, ushtria, forcat e shoqërisë “Bashkimi”, etj, rrëzuan qeverinë e ligjshme të Iljaz Vrionit, e cila kishte votën e shumicës së dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, zgjedhje të cilat kishin rëndësinë e një asambleje kombëtare, pra nuk ishin zgjedhje të zakonshme. Kjo trupë legjislative do caktonte parimisht dy gjëra kryesore: formën e regjimit (duke miratuar me këtë rast edhe kushtetutën e re) dhe çështjen e kryeqytetit. Opozita e kohës nuk bëri asnjë më shumë se një grusht shteti pa kurrfarë çështjesh të tjera. Nuk e mori pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve dhe e mori atë me forcë. Sundimin e qeverisë së paligjshme në gjysmën e dytë të vitit 1924 Qosja e quan “rend demokratik”. Natyrisht Qosja nuk na përmend asnjë cilësi të “rendit demokratik”, pasi nuk do të gjejë asgjë që lidhet me demokracinë. Mund të shtonte shumë për këtë “çlirim” që ishte keqqeverisja e Fan Nolit, prishja e marrëdhënieve me Italinë (nxjerrja në publik e fshehtësisë diplomatike midis dy vendeve), lidhja me Bashkimin Sovjetik për ta kthyer Shqipërinë si portë të parë të bolshevizimit, fjalimi skandaloz në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, dënimi i kundërshtarëve politikë fizikisht ose në mungesë, etj. Qeveria e Nolit nuk demonstroi asnjë demokratike

Vetë Noli e ka pranuar, ndryshe nga Qosja se bëri “një grusht shtetit” dhe kurrfarë çlirimi shoqëror. Për kuriozitet Qosja mund të lexojë gazetën “Dielli” 4 nëntor 1924, e cila citon gazetën “Popolo d’Italia”. Por Qosjes natyrisht nuk i duhen këto pasi atij i del dhe i tepron historiografia komuniste e cila e kishte “revolucionin demokratiko – borgjez”, etapën e parë të “revolucionit (lexo për Qosjen “çlirimin”) e vitit 1944.

Jo për ndonjë gjë, por për hir të së vërtetës kotë që na shkruan Qosja na i ka thënë më parë e më bukur shoku Enver, kot lodhet Qosja të na bëjë analiza historike. Qosja këmbëngul se ishin “vrangelistët” dhe ushtria jugosllave me “çifligarët” (më mirë do ishte që Qosja të përdorte fjalën “reaksionarët”) ata që sollën në pushtet Ahmet Zogun. Në fakt në pushtet këtë e solli vota e popullit më 27 dhjetor 1923, por kjo nuk ka rëndësi për popullin. Superfuqia e kohës Britania e Madhe ishte faktori numër 1 që i mundësoi Ahmet Zogut vazhdimin e mandatit të vitit 1923.

Pastaj përralla enveriste e Shën – Naumit dhe Vermoshit është e qartë dhe nuk është aq e vështirë sa e paraqet Qosja. Shteti shqiptar i kohës i mbylli kufijtë me marrëveshje me ndërkombëtarët në vitin 1926 me traktatin e Firences. Rasti i territoreve të pambyllura është pjesë e kësaj marrëveshje. Nga mënyra sesi historiografia komuniste e ka trajtuar këtë rast, jepet përshtypja sikur Shën – Naumi dhe Vermoshi ishin pjesë e një shteti me kufij të konsoliduar dhe po shiteshin për tekat e një njeriu. E pra e vërteta është se këto janë pjesë e çështjes së kufijve që u mbyll në Fierence në harmoni me vendimet e fuqive të mëdha.

“Çlirimi” i tretë 

E për të përmbyllur “çlirimet” e tij, Qosja ka dalë në rezultanten e tij, te “lufta nacionalçlirimtare”. Mbyllje më të bukur të temës së çlirimeve nuk mund të kishte. Nga otomanët, te urrejtja për borgjezët e te lavdia komuniste, nuk kishte shëmtirë më të bukur sesa kjo. Qosja shkruan:

“Herën e tretë Shqipëria është çliruar në vitin 1944 dhe është çliruar prej pushtimit të fashizmit italian, që me ideologjinë, me ekonominë, me kulturën dhe me gjuhën e kishte filluar pushtimin e Shqipërisë në vitet e tridhjeta dhe e kishte arritur në vitin 1939. Pushtimi fashist i Shqipërisë është bërë i mundshëm nga politika nënshtruese e regjimit të përbërë kryesisht prej çifligarëve, një numri të pjesëtarëve të borgjezisë dhe një numri intelektualësh, të cilët midis fashizmit dhe komunizmit kishin zgjedhur – si thuhej me ironi prej kundërshtarëve të tyre – të keqen më të madhe: fashizmin! Pushtimin e Shqipërisë nga Italia, ndërkaq, që kapitullon më 1943, do ta trashëgojë Gjermania naziste po në atë vit. Në vitin 1944 Shqipëria do të çlirohet në saje të luftës çlirimtare të organizuar prej komunistëve shqiptarë, që do të themelojnë Partinë komuniste shqiptare.

Në sajë të meritës që kishte për çlirimin e vendit prej pushtuesve italianë dhe gjermanë, Partia komuniste shqiptare do të fitojë pushtetin pas luftës dhe do të vendosë rendin politik-shoqëror komunist prej të cilit do të jenë të përjashtuara forcat e tjera politike”.

Mirëpo këtu ai ka harruar kontributin thelbësor të shokëve Miladin e Dushan në ndërtimin e një pushteti që për nga ndyrësia nuk mund të krahasohet në gjithë historinë e Shqipërinë. Në sajë të kësaj udhëheqje të shokëve Miladin e Dushan, jo vetëm u krijua PKSH-ja, por u bë edhe instrumenti i futjes së vëllavrasjes dhe kthimit në qëllim në vetvete të antikosovarizmit. Këtu, Qosja nuk ka pasur parasysh as porositë e çmuara të shokut Enver, i cili e ka thënë troç e qartë se në Shqipëri ka ndodhur marrja e pushtetit dhe kurrfarë “çlirimi”. Shoku Enver ka thënë:

“Lufta Nacionalçlirimtare dhe revolucioni kishin për qëllim kryesor marrjen e pushtetit. Fati i Shqipërisë varej se kush do ta merrte pushtetin. Pushtetin ishim të bindur se do ta merrte populli, nën udhëheqjen e partisë dhe të askujt tjetër. Ne fituam duke luftuar të vetëm jo vetëm brenda vendit me aleatë të jashtëm, por me vigjilencë të madhe që asnjë këmbë e tyre të mos hynte këtu, në Shqipëri. Dhe ishte kjo një nga arsyet e fitores sonë të madhe. Prandaj ta kuptojmë thellë rëndësinë e kësaj vepre të madhe të partisë sonë që nuk ishte e rastësishme, por e menduar mirë” (“Zëri i Popullit”, 16 shtator 1982, ceremonia e zhvilluar me rastin e 40 vjetorit të konferencës së Pezës).

Duke dashur në fund ta bëjë këtë pushtet si rendin që “ndërtoi Shqipërinë” Qosja shpreh gjithë erotizmin e tij sa primitiv aq edhe komunist nëpërmjet fjalëve:

“Historia e shënon si pushtet që e ka ndërtuar Shqipërinë institucionalisht, që e ka arsimuar popullin, në tërësi, që ka ngritur numër të madh institucionesh të shkencës e të kulturës që njeh bota e qytetëruar, që ka shkolluar dhe emancipuar gruan shqiptare, që ka ngritur shëndetësinë, që ka ndërtuar objekte me rëndësi të madhe, themelore, në ekonominë shqiptare, që e ka emancipuar dhe pavarësuar në të gjitha pikëpamjet popullin shqiptar”.

Natyrisht ai kishte shumë për të thënë për këtë regjim, por nuk mund të thoshte asgjë. Mund të thoshte për linjën e përhershme antikosovare të tij, për dënimet politike që u dhanë me shumicë për kosovarët që kishin mundur të vinin në Shqipëri, etj, etj.

Por këto janë çështje që nuk i ka trajtuar kurrë Rexhep Qosja. Shpeshherë ai është një libër i lexueshëm nga ato të kohës së komunizmit, apo ndonjë vepër nga ato të kuqet e Enverit. Jo se ka ndonjë problem të madh, por mos e merrni kurrë seriozisht kur Rexhep Qosja flet e shkruan për histori. Ai nuk mund të shkojë më shumë se një klient i bibliotekës së historiografisë komuniste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›