E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtimi i fermës, si mungesë planifikimi

30-04-2013 / Nga Çezar Agimi

Çmime të kripura të zarzavateve .../Kur dola si zakonisht të shtunën në mëngjes të bëja pazarin e javës, tek po blija domate, speca, patate, qepë, etj më bëri përshtypje se edhe këtë fund jave si ditë pazari, çmimet e zarzavateve vazhdonin të ishin goxha të kripura paktën me rreth 30 - 40 % nga ato të vitit të kaluar 2012. Ndërkohë shitësja duke më kthyer kusurin, si nën faj, kështu mu duk mua, po më thoshte se janë domate e speca të vendit. Në të vërtetë që janë të vendit, as që diskutohet ajo duket edhe me sy të thjeshtë. E kjo është një arritje e dukshme në bujqësinë shqiptare në 6 - 7 vitet e fundit. Por ajo që bie në sy këtë vit në marrëdhëniet e shitësve të perimeve me konsumatorin, është një lloj vetë trysnie e tregtarëve, sidomos atyre të vegjël që çdo ditë të vitit ballafaqohen me blerësin nëpërmjet të çmimeve të produkteve që shesin e blejnë me njeri tjetrin. 
Krejt e kundërta duket se ndodh në këto marrëdhënie me shitësit ambulantë të prodhimeve blegtorale që tregtojnë prodhime blegtorale si qumësht, gjizë, gjalpë, djathë. Kjo mendoj se ndodh pasi çmimet e tyre janë optimale në raport me xhepin, cilësinë dhe traditën, e si të tillë ata janë lehtësisht të pranueshëm edhe kur çmimet duhet të ndryshojnë mbi bazën e sezonit vjetor. Sakaq në pazar e sipër takoj një mikun tim të sapo dalë në pension, edhe ai i ngarkuar me këtë detyrë nga familja e tij si një pensionist ende në formë të mirë fizike për ta kryer me sukses këtë detyrë shumë të rëndësishme të moshës së tretë në familjet qytetare të Tiranës.
Të gjitha prodhime vendi janë, por .../Nuk ka diskutim se tani që po vjen muaji maj, të gjitha prodhimet si bujqësore, ashtu edhe ato blegtorale, vendi janë. Aq sa nga një herë edhe për sallatën jeshile, si për ironi deri në ekzagjerim, shitësit të thonë se është e vendit. Por problemi qëndron tek çmimet e tyre, të cilat ka gjasa se edhe për 7- 8 ditët e ardhshme do të jenë mbi mesataren shumëvjeçare të muajit maj. Kjo për arsyen e thjeshtë se tregtarët sidomos ata të shumicës por jo vetëm, do të vazhdojnë me tekat e tyre, natyrisht në kurriz të qytetarëve, të cilët edhe gjatë gjithë sezonit të dimrit që kaloi, sa i takon zarzavateve, janë përballur me çmime në rritje graduale. Nuk ka si shpjegohet, me thënë të drejtën vura duart në kokë, kur pyeta e më thanë se 1 kg lule lakër tek uzina Dinamo, vetëm para një jave kushtonte 4000 lekë të vjetra. Me thënë të drejtën shitësin nuk e kundërshtova kur mendon se jemi për ekonominë e tregut, kësisoj në këtë rast do të mendoja se kemi të bëjmë me një abuzim të pastër jo vetëm moral. Po pse ndodh kjo?
Ka dy lloj tregtarësh me pakicë/Sipas meje, unë mendoj se ka disa arsye, por tre më kryesoret dhe objektivet gjykoj janë: E para, e kam thënë edhe herë tjetër, është se në tregun e Tiranës dhe qyteteve të mëdha të vendit punojnë dy kategori tregtarësh me pakicë, të cilët numerikisht besoj se përbëjnë mbi 80 % të tregtarëve të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Një pjesë e tyre janë “me tapi të bome” prej vitesh në tregjet i inprovizuara të qytetit që shesin mall të marrë nga tregtarët e shumicës gjatë gjithë vitit dhe pjesa tjetër janë shitësit ambulantë ditorë që nuk e kanë “në dorë tapinë e bome”, por që në ndryshim me të parët, edhe ata prej vitesh janë pjesë e tregut, por me kohë të pjesshme, sepse shesin prodhimin e tyre nga fermat e vogla familjare. Sa i takon vend origjinës , të dy palët vijnë nga fshati , me ndryshimin se këta të dytët janë me banim në fshat dhe se falë përmirësimit të infrastrukturës si rezultat i ndërtimit të rrugëve të reja drejt qyteteve dy - tre vitet e fundit, kthehen më herët në katund (...i thonshin...), me furgona ose edhe me makina private. Arsyeja e dytë mendoj se ka lidhje me punësimin e tyre. Të parët kuptohet që janë krejtësisht të varur nga tregtarët e shumicës, ku edhe punësimi permanent i tyre varet nga loja e çmimeve ditore që është e detyruar të luhet shpesh edhe mbi bazën e cilësisë së mallit që atyre ju serviret. Këta si me thënë bëjnë edhe politikat e tyre, duke qenë në treg thuajse në 365 ditët e vitit. Ndërkohë të dytët, ose më mirë me thënë, pa i ofenduar, “katunarët”, janë të vetëpunësuar në fermat e tyre dhe përgjithësisht çmimet e shitjes i kanë mesatarisht 10 - 15 % me të ulëta. Natyrisht që edhe cilësia e prodhimeve është më e mirë, ku mbi të gjitha spikasin shijet dhe tradita e produkteve të vendit.
Mungesa e planifikimit/Arsyeja e tretë, më kryesorja, do të thosha se është mungesa e planifikimit në menaxhimin e fermës bujqësore në tërësinë e saj. E them këtë sepse nuk mund të mendosh që ferma sot nuk drejtohet e menaxhohet, sado mikse që është ajo në stadin aktual. Unë mendoj se problemi qëndron në mungesën e dijenive të qarta se si mund te drejtohet e menaxhohet një fermë bujqësore. E këto dijeni së pari janë pronë e kryetarit të familjes fshatare, e atij që ka edhe përgjegjësinë direkte shoqërore në drejtimin e familjes në përgjithësi. Ka një fenomen thuajse të përvitshëm në planifikimin e gabuar të detyrave teknike në fermë, duke filluar që nga mbjelljet, sipërfaqja dhe sasia e kulturave, mungesa e qarkullimit bujqësor, e deri tek zgjedhja e farave e fidanave, por që sivjet duket se ka ndikuar më shumë se ç’duhet, si pasojë e stinës së gjatë të shirave të këtij dimri. Në këtë aspekt pasi mbyllet viti bujqësor, fermerët për shumë arsye, duke filluar që nga mungesa e njohurive më të domosdoshme dhe elementare, nuk mbajnë shënime të rregullta, por menaxhimin e fermës dhe drejtimin teknik të saj ja lejnë rastësisë. Veçanërisht kjo ndodh në vite të mbara bujqësore, siç ishte për shembull viti 2012, ku prodhim bujqësor u rrit me mbi 30 e sa %. Mungesa e vazhdueshme e shënimeve, sidomos e bilancit ekonomik, nuk u lejon drejtuesve të fermave të orientohen në sipërfaqen e mbjellë vitin pasardhës, duke menduar se një vit më parë, pavarësisht shtimit të prodhimit e shitjes e sasive më të mëdha, etj, ai nuk realizoi çmimin e pretenduar prej tij. Kësisoj sipas tij, ai “të keqen” e gjen në uljen e sipërfaqes së mbjellë për vitin e ardhshëm. Kështu duket se ka ndodhur këtë pranverë. Sa i takon prodhimit blegtoral ky fenomen ka vite që nuk shfaqet, sepse për vetë natyrën gjithëvjetore të prodhimit, grumbullimi dhe shitja e tij në treg e mishit dhe e qumështit, bëhet gjatë gjithë vitit në mënyrë konstante. Kjo dukuri është shoqëruar me rritjen e sasisë, cilësisë dhe standardeve të nënprodukteve të tij, si dhe përmirësimit të drejtimit e menaxhimit me synim specializimin dhe kooperimin e prodhimit blegtoral në shkallë zona, rajoni e vendi.
Nevoja për kooperimin bujqësor/Zgjidhja e vetme për të mundësuar eliminimin e oshilacioneve të mëdha në sipërfaqet e mbjella veçanërisht me kultura perimore, që kanë të bëjnë edhe me furnizimin ritmik të konsumatorit me sasi dhe çmime të përballueshme prej këtij të fundit, është kooperimi fillimisht i shitjes së tyre në tregjet me shumicë duke bashkuar prodhimet e stinës që në fushë (në fshat), e më pas duke tentuar të ngrenë kooperativat e tyre tregtare bujqësore, ashtu siç po ndodh aktualisht me shumë sukses në disa rrethe të vendit, sidomos në Shkodër, por që në Europë ka dhjetëra vite që ai realizohet me shumë sukses, duke përfituar jo pak nga buxheti falas i kësaj të fundit për fermerët e saj.
Kuptohet se nga nevoja për kooperimin bujqësor, do të lindin drejtuesit e rinj e të aftë për të përballuar sfidat e bujqësisë tonë ndaj bujqësisë së zhvilluar europiane e të rajonit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›