E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faqezinjtë s’përdhosin dot dinjitetin e shqiptarëve

16-09-2011 / Gazeta 55

Inaugurohet qendra e përpunimit të të dhënave të Censusit të Popullsisë dhe Banesave  “Shqipëria 2011”, e cila do të organizojë regjistrimin e parë i lirë të lirë të popullsisë, pas triumfit të demokracisë mbi diktaturën.  
Berisha: Censusi, orientim shkencor - kundërshtarët janë të kapur nga interesa meskine
Ambasadori Sequi: Regjistrimi e krahason Shqipërinë me standardet evropiane

Dy javë larg fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, kryeministri Sali Berisha inauguroi dje qendrën e përpunimit të të dhënave të Censusit të Popullsisë dhe Banesave, i cili nis më datë 1 tetor 2011. Duke theksuar se ky regjistrim është ndoshta regjistrimi i parë i lirë, pas regjistrimeve të bëra në fillimet e mbretërisë shqiptare dhe të atyre të bëra pak më parë, kryeministri vlerësoi se në këtë regjistrim shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, përkatësinë e tyre etnike, besimin e tyre fetar. “Regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i veçantë në historinë e vendit. Është më i veçanti sepse për shumë arsye ky ndoshta është regjistrimi i parë i lirë, pas regjistrimeve të bëra në fillimet e mbretërisë shqiptare dhe të atyre të bëra pak më parë. Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar të gjitha kërkesat e procesit, për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, përkatësinë e tyre etnike, besimin e tyre fetar. Ky regjistrim realizohet me teknologjitë më të avancuara, para kemi të bëjmë me një harmoni të plotë të standardeve bashkëkohore të regjistrimit të njerëzve të lirë dhe teknologjinë me bashkëkohore për realizimin e këtij procesi”- u shpreh kryeministri Berisha. Sipas tij, regjistrimi përbën një hap të rëndësishëm në hulumtimin dhe grumbullimin e të dhënave rreth rajoneve demografike të vendit, në mënyrë që Qeveria të jetë në gjendje të orientojë politikat e saj në dobi të komunitetit dhe qytetarëve të vendit. “Regjistrimi është një akt themelor, i cili do të bëjë të mundur që politikat e qeverisë shqiptare të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajoneve, të dhëna këto të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore në mbarë vendin. Regjistrimi do të përbëjë një orientim shkencor për të gjitha politikat demografike të vendit, politika të cilat janë shumë të rëndësishme. Sot, ne i kemi treguesit demografik në tërësi shumë të mirë, por këta nuk janë të dhënë njëherë e përgjithmonë. Është në detyrën e çdo qeverie dhe shoqërie që në momente të caktuara të bëjë çdo ndërhyrje për ti garantuar kombit rininë  e përjetshme. Sot për sot këto ndërhyrje nuk janë të nevojshme por nëpërmjet regjistrimit bëhet i mundur  regjistrimi më i saktë i trendit demografik të shoqërisë dhe kombit në tërësi. Por ky regjistrim, ka edhe një meritë tjetër të madhe, është një pasqyrë e kristaltë, e përpjekjes dhe arritjes së madhe të shqiptarëve në këto vite lirie. Ata trashëguan nga 45 vjet diktaturë ndëshkimin me 750 mijë bunkerëve. Ata kanë ndërtuar në këto vite sipërfaqe ndërtimi, vila dhe pallate më shumë se të gjithë breznitë e të gjitha kohërave dhe kanë një arsye të krenohen me të dhënat e këtij regjistrimi” - deklaroi kryeministri. Duke iu referuar kundërshtarëve të procesit, Berisha i cilësoi ata si përfaqësues të një lëvizje të politizuar dhe faqezezë. Sipas kryeministrit një grup i caktuar njerëzish keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore, për qëllime meskine personale. “Disa qëndrime të përshtatura nga grupet ndaj regjistrimit janë atavike. Dua të theksoj këtu, se në një shoqëri të lirë, grupet, njerëzit, organizatat kanë të drejtë të kenë qëndrimet e tyre. Kanë të drejtë ti shpallin ato pa asnjë lloj kufizimi, por kur këtë e bëjnë institucionet, të cilat në ligjin dhe Kushtetutën e vendit janë të depolitizuar, kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse “lëvizja faqezi”. Pra nuk kam asgjë me mendimet e tyre atavike, sepse ato, jam i bindur se nuk jua dëgjojnë as anëtarët e familjeve të tyre, lerë më ato që janë jashtë pragut të derës. Por ajo që mua më shqetëson dhe i bëj ketë etiketim është fakti se ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale” - u shpreh kreu i qeverisë Berisha. Kryeministri shprehu falenderimet për Komisionin Europian, qeverinë zvicerane, qeverive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për ndihmën bujare që i kanë dhënë Shqipërisë për realizmin e këtij akti madhor, themelor, për të dhënat dhe pasurimin e madh që i bënë database-it të Shqipërisë, duke pajisur Institutin e Statistikës me teknologjinë më moderne të kohës. “Dua ta mbyll fjalën time me mirënjohjen më të thellë ndaj Komisionit Europian, qeverisë zvicerane, qeverive dhe institucioneve të tjera  ndërkombëtare, për ndihmën bujare që i kanë dhënë Shqipërisë për realizmin e këtij akti madhor, themelor, për të dhënat dhe pasurimin e madh që i bënë database-it së Shqipërisë. Të përgëzoj Institutin dhe të gjithë punonjësit e kësaj qendre, të pajisur me teknologjinë më moderne, por dhe të gjithë Censorët në mbarë vendin, që janë trajnuar me përgjegjësi dhe po presin me padurim dhe pasion të realizojnë regjistrimin “Shqipëria 2011”” - tha më tej kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›