Ndryshimi i kombësisë, rrëzohet ligji i gjendjes civile

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot ligjin e gjëndjes civile i cili përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj. Kushtetuesja e ka cilësuar si antikushtetues dispozitat për ndryshimin e kombësisë duke vendosur me 6 vota pro dhe 2 vota kundër në favor të tre gjykatave të cilat kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit "kombësi".
Gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit "kombësia" të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 "Për gjendjen civile", të termit "kombësinë, në përputhje me kombësinë e prindërve", të përcaktuar në nenin 42/2 germa "e" të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 "Për gjendjen civile", si dhe të nenit 58 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 "Për gjendjen civile".
Në pretendimin e tyre, tre gjykatat e shkallës së parë në vendin tonë shprehen se ligji për Gjendjen Civile cënon rëndë parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Gjatë kësaj kohe, këto gjykata kanë pezulluar edhe çështjet që kanë në shqyrtim deri sa gjykata Kushtetuese të shprehej në lidhje me elementin e kombësisë.