E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi i organizuar në Shqipëri nuk ka rrënjë tradicionale

16-09-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani raporton në Kuvend lidhur me zbulueshmërinë e krimit, e cila sipas tij kalon mesataren evropiane, me një shifër prej 84%. 

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani garanton goditje të ashpër ligjore ndaj krimit dhe fenomeneve të tij, por theksoi se në Shqipëri nuk ka rrënjë tradicionale të krimit të organizuar. Deklarata e ministrit u bë gjatë seancës dëgjimore në komisionin Parlamentar të Sigurisë, mbi aktivitetin e krimit të organizuar në vend. Ministri solli në vëmendje se vetëm gjatë dy muajve të fundit Shqipëria ka patur një fluks të jashtëzakonshëm turistësh dhe në asnjë rast asnjë prej mijëra turistëve nuk iu cenua siguria për jetën. “Padyshim ka aktivitet kriminal, i cili është goditur dhe do të vazhdojë të goditet edhe më shumë në vazhdim, por ne nuk kemi konstatuar rrënjë tradicionale të krimit të organizuar në Shqipëri. Për të ilustruar se në çfarë niveli është situata e rendit dhe e sigurisë, unë juve si deputetë por edhe opinionit publik, dua t’ju kujtoj se gjatë dy muajve të fundit Shqipëria ka pasur një fluks të paparë turistik. Mijëra turistë të huaj bënë turizëm që nga alpet deri në ishujt e Ksamilit. Qindra mijëra turistë shqiptarë bënë turizëm në male, lumenj, liqene e dete, dhe kurrkujt në asnjë rast nuk iu cenua siguria, nuk iu cenua rendi, nuk iu cenua jeta, por bënë turizëm, shijuan bukuritë e natyrës shqiptare me një fluks të paparë falë angazhimit të atyre që 24 orë përballen me çdo lloj krimi ditën dhe natën dhe punojnë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Ky është treguesi më elokuent i një realiteti i cili padyshim duhet konsoliduar akoma më tej” - deklaroi ministri Nishani. Në përgjigje të interesimit të deputetëve mbi nivelin e zbulueshmërisë së veprave të rënda kriminale, ministri Nishani u përgjigj se “zbulueshmëria e krimit në Shqipëri dhe veçanërisht e vrasjeve është ndër më të lartat në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, 83-84%”. “Nuk janë shifra të fryra dhe aq më pak të trukuara. Për të verifikuar këtë deklaratë mund t’i referoheni p.sh. vrasjeve të ndodhura në Tiranë gjatë vitit 2011, nga janari deri më tani. Janë 15 raste vrasjesh nga të cilat 13 të zbuluara me autor, pra vetëm dy raste që nuk është zbuluar autori”- tha ai. Ministri Nishani u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të politikës të mos ngrenë akuza të pabaza ndaj funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit sepse kështu dekurajojnë strukturat e saj dhe inkurajojnë krimin. “Secili prej nesh dhe kushdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi që ka një pretendim, ka një akuzë, ka një provë duhet menjëherë ta adresojë në institucionin e pavarur të prokurorisë së shtetit shqiptar, i cili ka të gjitha hapësirat ligjore, instrumentet për t’i hetuar dhe verifikuar. Duke qenë se jam sot në Komisionin e Sigurisë përballë deputetëve të dy krahëve me eksperiencë të gjatë në jetën politike, por edhe njohës të institucioneve të zbatimit të ligjit, do ju kërkoja që duke qenë padyshim jo-tolerantë ndaj çdo rasti ku ju konstatoni shkelje, apo mungesë vullneti apo moszbatim detyrash, të mos adresohen akuza publike politike pa fakte, pa prova ndaj drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit të cilët çdo ditë janë nën presionin e luftës me krimin. Çdo akuzë e pabazë, çdo akuzë e pambështetur në prova, për rrjedhojë çdo akuzë politike çon në dekurajimin e strukturave të shtetit që merren me luftën kundër krimit, dhe në mënyrë indirekte ndoshta pa-dashje inkurajon veprimtarinë kriminale.
Ministri iu përgjigj pyetjeve që drejtuan deputetët edhe mbi hetimet për ngjarje të veçanta kriminale, luftën kundër trafikut të drogës, sigurinë e dokumenteve të identitetit, riorganizimin e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit etj. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u paraqiti deputetëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë një raport të hollësishëm mbi luftën dhe arritjet e strukturave të Policisë së Shtetit kundër kriminalitetit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

9948 persona të arrestuar nga Policia e Shtetit
“Si një statistikë e përgjithshme janë 9948 persona në kërkim të kapur nga Policia e Shtetit për kryerjen e veprave penale të ndryshme për periudhën 2005 - 6 mujori i parë i vitit 2011”. Thellimi i mëtejshëm i rezultateve pozitive të deritanishme, në luftën ndaj këtij fenomeni, mbetet angazhimi ynë kryesor.

Lufta kundër prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike
“Përsa i përket luftës kundër prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë viteve të fundit shënohet një rënie e ndjeshme e kalimit të drogave me origjinë apo që tranzitohen nëpërmjet Shqipërisë për në drejtim të Greqisë dhe Italisë. Sipas informacionit të ardhur nga pala italiane për lëndën narkotike heroine të sekuestruar në Itali që është trafikuar nga Shqipëria, për vitin 2004 janë sekuestruar 1085 kg, në vitin 2005 - 392 kg në vitin 2009 - 59 kg dhe vetëm 2 kg në vitin 2010. Gjithashtu, për lëndën narkotike kokainë vetëm për dy vitet e fundit (2009-2010) nuk shënohet asnjë kilogram i sekuestruar i trafikuar nga Shqipëria. Në vijim, të dhënat statistikore të siguruara nga Policia e Shtetit flasin gjithashtu për një rritje në vijimësi të rasteve të evidencuara dhe atyre të zbuluara me ndalimin e autorëve të veprave penale që i përkasin trafikimit të lëndëve narkotike. Kështu, në total janë evidencuar 4030 raste me 2806 raste të zbuluara dhe 3186 persona të ndaluar-arrestuar për periudhën 2005 - 6 mujori i parë 2011.

Lufta kundër korrupsionit
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, në total për periudhën 2005-6 mujori i pare i 2011, shënohen 285 raste të evidencuara me 584 persona të proceduar dhe 271 të arrestuar.

Sekuestrimi i aseteve të krimit
Në lidhje me sekuestrimin e aseteve produkt i krimit të organizuar, është krijuar Sektori për Hetimin e Aseteve Kriminale me qëllim arritjen e rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Hetimi i aseteve kriminale është një eksperiencë e re në përgjithësi, edhe për shumë vende të BE-së. Miratimi i ligjit si dhe i akteve të tjera normative ka sjellë një risi jo vetëm në format dhe metodat që përdoren për të goditur këto fenomene, por edhe në rritjen e kapaciteteve të brendshme të vetë strukturave që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë. Pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë regjistruar 28 procedime pasurore, nga të cilat 26 janë filluar në përputhje me kërkesat e Ligjit. Janë paraqitur në gjykatë 10 kërkesa sekuestrimi për pasuri, të cilat përllogariten me vlerën e tregut afro 6 milion Euro, të cilat janë lënë në fuqi dhe nga gjykimi në shkallë të dytë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda. Janë duke u kryer hetime pasurore nga ana e Sektorit për 121 procedime penale. Vlera e përafërt e gjithë aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në administrim të agjencisë AAMPSK është 2.3 miliardë lekë, (afërsisht 16.8 milion euro).

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›