Farërat e përdorura në bujqësi, këshillohen fermerët që të përdorin fara të gjeneracionit të ulët

Një nga sfidat me të cilat përballen fermerët e Qarkut Korçë është ajo e përzgjedhjes së farave për kultivimin e bimëve të ndryshme. Të kushtëzuar nga kostot financiare, ata detyrohen që të prodhojnë vetë farë dhe të përdorin edhe ato të gjeneracioneve më të larta duke sjellë kjo efekte negative, pasi ulet produktiviteti.
Për të shmangur këtë efekt, specialistët e bujqësisë këshillojnë përdorimin e farës deri në riprodhimin e dytë. Pedagogu i fakultetit të Bujqësisë në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë, Adrian Maho shpjegon se përdorimi i farave pas riprodhimit të dytë, sjell ulje më të mëdha prodhimi në kultura si misri.
“Ka fermerë që përdorin gjeneracionin e 10-të të grurit dhe kjo reflekton një ulje të produktivitetit. Veçanërisht te kulturat që janë me pjalmim të kryqëzuar si misri, rënia e produktivitet është shumë e lartë nëse nuk përdoren hibride që prodhojnë çdo vit. Nuk ndryshon asgjë në përbërjen e produkteve, thjesht kjo ka ndikim në sasinë e prodhimit. Duhet të realizohen reformat e duhura në mënyrë që fermerët të stimulohen për blerë këto lloj farash dhe që prodhimi të jetë më i lartë”, u shpreh Maho.
Maho shpjegon më tej se shkalla e rënies së prodhimit varion nga një bimë tek tjetra. Për grurin e fasulen është më e ulët duke qenë se janë bimë vetëpllenuese dhe rënia shkon deri në 4-5% në vit, ndërsa rënia më e madhe shënohet tek misri me rreth 30% të shkallës së produktivitetit në vit, pasi është një bimë me pjalmim të kryqëzuar.
/rtsh/