Farkëtarët e krizës që improvizojnë me ekonominë
Kriza financiare botërore që pati kapluar ekonominë e planetit është e ditur në dritë të diellit, siç është i ditur edhe spekulimi politik që është i bërë kësaj kauze. Natyrisht kriza globale ekonomike e kohëve të fundit, që pati prekur tërthorazi edhe vendin tonë, po shërben si justifikim për të lëshuar akuza ndaj qeverisë “Berisha”. Sidomos kur premisat e një ringritjeje ekonomike ishin të ngadalësuara nga konjuktura ndërkombëtare. Arsyet e krizës siç janë të shumta po ashtu janë edhe të shpërndara në një sistem ekonomik liberal. Por një nga arsyet kryesore ishte edhe ndërhyrja e qeverive në ekonomi, duke investuar në disa vepra madhore që nuk kanë një rikthim ekonomik të shpejt.Mirëpo lokomotiva ekonomike evropiane, Gjermania, ka dhënë tashmë shenja së është e mundur një rritje e shpejtë ekonomike, një lajm pozitiv që ka tërhequr jashtë tuneli shumë vende.Kuptohet vetiu se opozitat e çdo vendi demokratik në Perëndim ishin të favorizuar për të prodhuar politikë me një krizë financiare duke marrë kapital votash në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ishte e natyrshme që në vende si Italia, Franca, Gjermania apo Anglia, opozitat stigmatizonin përditë politikat e qeverive. Në Shqipëri ndodhi e kundërta, nuk kishte asnjë fjalë për krizën ekonomike, sepse qeveria e djathtë pati investuar në infrastrukturë duke i vënë një jastëk të butë krizës ekonomike. Qeveria “Berisha” pati në projekt-buxhetin e vitit 2009 disa paketa ekonomike “anti-krizë” të tipit të uljes së barrës fiskale, nxitjes së investimeve e punësimit, përmirësimin e klimës së biznesit apo uljen e deficitit buxhetor, të cilat rezultuan si një nga përgjigjet më efikase që mund të identifikohen si reagime ndaj krizës botërore.Kjo lëvizje taktike pati efekt edhe në Perëndim, duke parë se në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, këto shtete votuan në përgjithësi partitë e djathta, duke konfirmuar një trend pozitiv të politikave investuese në infrastrukturë dhe uljes së barrës fiskale.Ndërkaq, sot në Shqipëri opozita socialiste - që është më vonesë kilometrike - po kërkon të farkëtojë artificialisht argumentet e një krize ekonomike, por në ndryshim nga partitë europiane që japin edhe alternativa, PS-ja me në krye Edi Ramën, ka vetëm demagogjinë e fjalëve marksiste të shpërndarjes ekonomike dhe të marrjes së pushtetit me dhunë. Kur nuk kishin një program elektoral në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, si vallë mund të nxjerrin nga xhepi një politikë ekonomike për nxjerrjen e vendit nga kriza?Edhe krijimi i një kryesie të politikave ekonomike ishte me të vërtetë një farsë banale, ku brenda saj kishte persona me personalitet të ndryshme si Arbën Malaj dhe Rudina, Shkëlqim Cani dhe Erion Braçe, që do të thotë se janë vetëm një makiazh partiak.Pra kuptohet vetiu se përdorimi i çdo kauze për të mbështjellë me populizëm përshtypjen se jemi në një krizë, është e pafalshme për një opozitë, që kërkon në një të ardhme që të qeverisë. Papërgjegjshmëria e saj duke deklaruar pesimizëm sa majtas e sa djathtas për të krijuar një amulli artificiale të krizës ekonomike, në një moment kur kërkohet një bashkëpunim më i madh se kurdoherë, është sinjali më tregues i një parapolitike të improvizuar opozitare. Njerëzit që merren me makro-ekonomi e kuptojnë fare qartë se me deklarata për shtyp apo dreka restorantesh nuk zgjidhet ndonjë gjë, përkundrazi, veç nxiten premisat e një politike katostrofiste për qëllimin e thithjes së një kapitali politik.Kriza ekonomike botërore ka shfaqur shenja edhe në Shqipëri, sidomos nga rënia e remitancave të emigrantëve dhe eksportit të dobësuar në krahasim me një vit më parë. Megjithëse vendi ynë nuk është i rrezikuar drejtpërdrejt nga kjo krizë financiare, edhe shtrëngimi i kritereve të kredidhënies, tregon se bankat janë duke marrë masa për minimizimin e efekteve të saj, gjithmonë sipas udhëzimeve të Bankës së Shqipërisë.Shqipëria e ka krijuar fondin e saj të krizës. Kontigjencat e buxhetit të vitit 2009 ishin rreth 160 milionë USD, të cilat më së shumti u përdorën për të mbushur plasaritjet financiare që krijonte kriza ekonomike botërore. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbështetet në faktorë të brendshëm ekonomikë dhe financohet nga burime të brendshme bëri të mundur sheshimin e problemeve që mund të krijoheshin. Stabiliteti makroekonomik dhe kreditimi i sektorit privat ka nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Për këtë arsye, ndikimi i krizës ekonomike botërore ishte i reduktuar. është shpjeguar disa herë nga Ministri Financave, Ridvan Bode, se ekonomia shqiptare dhe sistemi bankar janë duke operuar brenda parametrave normalë. Sistemi karakterizohet nga një gjendje e shëndoshë financiare, ai është likuid, operon me fitim, si dhe është i paprekur nga produktet e helmatisura, si raporti kredi/depozita (veç 45 përqind). Deri më tani sistemi ynë ka mirë-kapitalizuar, pothuajse 2 herë më shumë se vendet e tjera në zhvillim. Po kështu edhe raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredive është vetëm 4.1 për qind, një shifër kjo nga më të ulëtat në rajon....