E Diel, 1 Nëntor 2026

10 vjet nga ndarja nga jeta e Dom Simon Filipajt dhe 15 vjet nga botimi shqip i Biblës

Dom Simon Filipaj, Nderi i Kombit për përkthimin e parë të plotë të Biblës në shqip është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në përvjetore ku përkujtohen figurat e mëdha të kombit tonë. Kënaqësia është e dyfishtë ngaqë më jepet rasti të marr fjalën para jush për meshtarin e devotshëm të kishës katolike ndërshqiptare dom Simon Filipaj, mik i dashur i familjes sonë, tek i cili e mora pagëzimin. Kjo miqësi e ngushtë dhe e sinqertë familjare me këtë personalitet të fuqishëm të kulturës sonë është brumosur me ardhjen e tij si meshtar në famullinë e fshatit tim të lindjes, në Triesh, zonë kufitare me Shqipërinë, në vitet 50-të të shkekullit të kaluar. Nga informacionet që kam nga babai im i ndjerë, ardhjen e dom Simonit në famullinë e Trieshit besimtarët trieshjanë e priten me gëzim, kurse regjimi i kohës e përcillte dhe e mbikqyrte heshtazi. Por meshtari i ri, i pajisur me mësime teologjike të fituara në Fakultetin Teologjik të Zagrebit, me një kulturë të gjerë, me mençuri, maturi, dashuri, sinqeritet, afërsi, modesti, fisnikëri, oratori të spikatur, me fjalë tepër të ëmbla, pa nervozizëm, i përfitoi zemrat jo vetëm të besimtarëve, por edhe të aktivistëve komunistë vendorë të cilët e përbuznin fenë dhe besimin. Po kaq i nderuar dhe i respektuar ishte edhe në famullinë e Kojës dhe të Grudës, troje etnike shqiptare që gjeografikisht i përkasin Malësisë. Natyra këtë njeri të Zotit e kishte pajisur me virtyte të rralla, me fjalë të ëmbla që të lë mbresë të thellë, me gojtarinë e tij të bukur e të natyrshme, me urtësinë në fjalë dhe me veprime të matura, me jetën e pastër fetare e atdhetare e kishte fituar dashurinë dhe nderimin e të gjithëve. Emri i tij është bërë dhe ka mbetur simbol burrërie, ndershmërie e drejtësie në Malësi. Dom Simon Filipaj për 16 vite shërbimi si meshtar në Malësi, krahas fushës së madhe të lëvrimit të tij që ka qenë udha e bukur e meshtarisë, së cilës iu përkushtua shpirtërisht dhe intelektualisht, në kushte tejet të vështira ekonomike e politike, me pasion iu qas mbledhjes së folklorit dhe studimit te tij. Gjatë kësaj periudhe kohore në Malësi mblodhi si bleta shumë këngë lirike, epike, historike, balada, anekdota, përralla etj., shumica e të cilave janë botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në “Gjurmime Albanologjike” (Folklor dhe Etnologji) dhe në botime të tjera, kurse materiali folklorik i pabotuar, mbledhur prej tij ruhet në arkivin e këtij Instituti. Kështu, falë dashurisë së tij të madhe që kishte për kulturën tonë popullore, arriti të shpëtojë nga zhdukja dhe harresa një pasuri të madhe të kësaj gurre popullore, të mbledhur me kujdes të posaçëm dhe dashuri të madhe në këtë krahinë të lashtë shqiptare, historia, kultura dhe tradita e së cilës janë një det i gjerë ende i palundruar. Malësorët dom Simonin sot e kësaj dite e mbajnë mend jo vetëm si një dijetar me kulturë të gjerë, por edhe si gojëtar të shquar. Predikimet e tij plot squetësi e pasion ruhen ende në ndërgjegjen e atyre që e dëgjuan. Ai ishte dhe mbeti figurë shumë e respektuar dhe e nderuar në Malësi për traditat e shëndosha atdhetare dhe si personalitet i madh. Sepse malësorët e kishin kuptuar që në fillim se dom Simoni e donte Malësinë dhe malësorët, se ai bënte përpjekje të vazhdueshme për përhapjen e frymës së re si dritë e kohës në secilën nga familjet tona, sa herë që ishte i ftuar si mik në sofrat tona bujare në ato kohë të pakohë. Monsinjor Filipaj duke qenë zotërues i mirë i disa gjuhëve, veçmas atyre biblike, latinishtes, greqishtes së vjetër dhe frëngjishtes, me t’u kthyer nga Malësia si meshtar në një famulli të harruar të Shën Gjergjit, buzë lumit Buna, i hyri një pune sa të vështirë, aq edhe fisnike - përkthimit të plotë të Biblës në gjuhën standarde shqipe, gjë të cilën nuk e kishin bërë as institucionet më të larta fetare, as ato shtetërore. Dhe pas një pune të mundimshme dyzetvjeçare, pa dritë elektrike, nën dritë hijen e kandilit e të qiriut, duke u “kacafytur” me fjalë, fjali e frazeologji, me vullnetin e tij të rrallë, por edhe me vullnetin e të lumit Zot, arriti t’u dhurojë shqiptarëve Shkrimin e Shenjtë në gjuhën e tyre, duke u bërë kështu njeriu i parë në botën shqiptare që realizoi një ëndërr 2000-vjeçare të kombit tonë. Unë nuk i jap vetes të drejtë të shpreh vlerësimin personal për botimin e plotë të Biblës shqip nga dom Simon Filipaj, sepse kjo u takon në radhë të parë linguistëve, por jam i sigurt se kjo vepër përbën një ngjarje të shënuar edhe për studimet gjuhësore. Duke e lexuar Biblën në shqip jam bindur se përkthyesi i saj, dom Simoni, ka bërë përpjekje për të mos kaluar përciptazi gjatë përkthimit, për të mos gjetur thjesht një fjalë barazvlerëse të shqipes shkëputurazi. Përkundrazi, është thelluar në domethënien e tekstit origjinal dhe të fjalëve në marrëdhëniet ndërmjet tyre e me kontekstin duke na dhënë zgjidhje të reja, të cilat e pasurojnë leksikun e shqipes jo thjesht me fjalëformime të reja, por edhe me ngjyrime e vlera të reja kuptimore. Dom Simon Filipaj me përkthimin e plotë të Biblës në shqip nuk i bëri nder vetëm vetes, familjes e kishës katolike, por mbarë shqiptarizmit. Prandaj mendoj se ky njeri me shpirt e me zemër të madhe shqiptari është nderi i kombit. Botimin e plotë të Biblës në shqip 15 vjet më parë e kanë vlerësuar studiues të shquar të shkencës së albanologjisë dhe pena të njohura të letrave shqipe nga hapësira mbarëshqiptare. Numri i tyre është i konsiderueshëm, ndërsa unë po veçoj vetëm njërin nga ata, shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Ai në një intervistë që zhvillova në vilën e tij në Durrës, lidhur me përkthimin e dom Simonit, më tha: “E kam lexuar me interes përkthimin e mrekullueshëm të "Biblës" nga dom Simon Filipaj. Vërtet, kam shprehur kudo admirimin tim për këtë përkthim, që është një shembull i shkëlqyer se si mund të përkthehen veprat e mëdha monumentale të njerëzimit në gjuhën e sotme shqipe”. Pas këtij vlerësimi meritor të zotit Kadare për këtë figurë poliedrike, i cili ka lënë në gjuhën shqipe kryeveprën botërore, Librin e Shenjtë - Biblën, nuk më mbetet tjetër vetëm se t’ju them se portreti sa i thjeshtë aq i madhërishëm, vepra dhe puna e këtij prelati të shquar të kombit tonë do të mbeten përgjithmonë në kujtimin e malësorëve në përgjithësi dhe të familjes time në veçanti, sepse frytet e punës së tij i gëzojmë ne sot. Shpirti i butë i këtij bariu të pervuajtur që vinte nga urdhëri fetar që i përkiste, pushoftë në paqë përgjithmon! Amin. Nga Kumtesa në sesionin e posaçëm shkencor, mbajtur në Tiranë, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së dom Simon Filipajt dhe 15-vjetorit të botimit të plotë të Biblës në shqip...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›