Farmacisti, një në pranga në kryeqytet
Një person është vënë në pranga në kryeqytet, teksa transportonte me mjetin e tij një sasi barnash kontrabandë. Operacioni i policisë së Tiranës, i koduar Farmacisti, ka arrestuar Ylli Mekollarin, 57 vjeç, lindur në Delvinë dhe banues në Tiranë.
Përveç barnave pa pullë fiskale në automjetin me të cilin lëvizte, atij i janë sekuestruar edhe në shtëpinë ku banonte të tjera barna mjekësore pa pullë fiskale si dhe pa pulla sigurie barnash.
Sipas hetimeve të policisë, Mekollari ka arritur të kontrabandojë në Shqipëri nga pikat e kalimit kufitar Kapshticë dhe Qafë Thanë, medikamente mjekësore pa pullë fiskale, të cilat më pas i tregtonte në farmacinë e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan :
- Një automjet i markës Benz Mercedes me targë TR 0548 F në të cilin u gjetën një sasi ilaçesh.
- 20 kuti medikament Viagra, 84 kuti me mbishkrimin Beaty Fruit pa pullë fiskale.
- 47 kuti të vogla me barna Euterogermina, 5 kuti Aulinë dhe 13 kuti Amoksiklav me pullë fiskale
- 45 kuti me barna Nebilet, 12 kuti Beauty Fruit, 2 kuti Advil, 3 kuti Nitroglicerium, 2 kuti Tenormin, 10 kuti Ciprinol dhe 70 kuti Viagra pa pullë fiskale.
Materialet hetimore për veprat penale të Tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë dhe Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë i kaluan prokurorisë. / G.N.