Farmacitë, 100 medikamente të dyshimta, nuk japin asnjë efekt
Rreth 100 medikamente pritet të hiqen nga tregu farmaceutik dhe të mos lejohen të tregtohen për pacientët. Vetë grosistët e ilaçeve kanë deklaruar se do tju bëjnë testime këtyre barnave për tu siguruar nëse ato japin ose jo efektin e duhur ndaj kurimit të sëmundjeve për të cilat rekomandohen.
Medikamentet
Si fillim janë tetë medikamente për të cilat është vendosur të dalin jashtë përdorimit, pasi nuk kanë dhënë efektin e duhur tek pacientët. Sipas burimeve zyrtare nga Qendra e Kontrollit të Barnave, kryesisht këto janë antibiotikë dhe medikamente kundër gripit që po testohen pranë laboratorëve të vetë Qendrës. Drejtori Besnik Jaku thotë se kanë qenë vetë qytetarët që denoncuan se këto medikamente nuk japin asnjë efekt. Ndërkohë edhe vetë grosistët kanë sjellë për testim mbi 100 medikamente të dyshimta.
Denoncimet
Ka pasur tetë raportime kombëtare, 175 raportime ndërkombëtare nga të cilat 10 barna kanë qenë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Janë antibiotike, antiipertensiv, antiviral. Para dy vjetëve janë nxjerr 4-5 barna për mungesë të efektit dhe për shfaqje të efekteve anësore, thotë Besnik Jaku, Drejtor i QKKB. Këto të dhëna u bën publike dje gjatë konferencës së tretë të Farmakovigjilencës, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasli, i cili ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të raportuar çdo ilaç që nuk asnjë efekt, apo që më keq akoma jep efekt të dëmshëm.
Ministri Vasili
Sot na duhet të perfeksionojmë mekanizmat e komunikimit në mënyrë që çdo fenomen i dyshimtë që vërehet në barnat që qarkullojnë në terren qoftë në cilësinë e tyre, qoftë në efektet anësore, apo element tjetër që do të kompromentonte raportin bar- pacient të certifikohen dhe të vihen në vëmendje të institucionit përkatës por dhe të opinionit publik shqiptar, tha Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë. Farmakovigjilenca ka nisur të funksionojë që nga viti i kaluar. Kjo strukturë mbledh, monitoron, kërkon dhe vlerëson informacionin që vjen nga personeli shëndetësor dhe nga pacientët mbi efektet e padëshirueshme të ilaçeve.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë,
ndihmon pacientët me talasemi
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë vendos ura bashkëpunimi mes spitalit të Vjenës dhe QSUT-së për trajtimin e sëmundjeve të gjakut dhe kancerit në mosha të hershme. Gjatë një simpoziumi shkencor, presidentja e fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha ka vlerësuar hapat e ndërmarra ndërkohë që ka theksuar se trajtimi i talasemisë është një ndër shtyllat e fondacionit që drejton. Në prag të Ditës Botërore të Talasemisë fondacioni u angazhua për të sjellë në Tiranë eksperiencën ndërkombëtare të një prej spitaleve më të specializuara në trajtimin e sëmundjeve të gjakut dhe kancerit në moshat pediatrike; atë të spitalit Saint Anna në Vjenë të Austrisë. Presidentja e fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha ka vlerësuar trajtimin e talasemisë si një ndër shtyllat e fondacionit ndërsa theksoi progresin e bërë në këtë aspekt. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë fondacioni bëri të mundur që spitali i Lushnjës të pajisej me aparatura bashkëkohore me qëllim përmirësimin e cilësisë se trajtimit klinik për pacientët me talasemi. Ndërkohë që ka organizuar fushata të shpeshta sensibilizuese për dhurimin e gjakut. Për shkak të lëvizjeve demografike statistikat nuk janë shumë të sakta por sipas të dhënave të Institutit të Studimeve Pediatrike Shqipëria renditet ndër vendet me prevalencë të lartë, ku rreth 7 % e popullatës janë bartës të talasemisë.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Fushë-Krujë, furrat e gëlqeres po helmojnë banorët
Katastrofa mjedisore vazhdon të thyejë rekorde në Fushë-Krujë. Ministria e Mjedisit ka caktuar një inspektor që ndjek vetëm çështjen e furrave të gëlqeres që djegin goma dhe plastike, për ti ndaluar ato. Prokuroria e Krujës ka nisur disa herë çështje penale për pronarët e disa prej furrave. Inspektoriati Ndërtimor ka ndërhyrë disa herë, nga ana tjetër edhe Policia e Shtetit ka për detyrë moslejimin e shkeljes së ligjit në lidhje me ndotjen e mjedisit, por asgjë nuk po e ndal katastrofën mjedisore në këtë zonë. Reja e smogut nuk i ndahet kësaj zone dhe ajo ka si përgjegjës kryesor djegien e plastikës, gomave dhe mbetjeve të tjera që përdoren për të prodhuar gëlqere në mënyrë artizanale. Për shkak të disa kontrolleve ndezja e furrave bëhej vetëm natën, por tani ato ndizen edhe ditën. Furrat përdorin si lëndë të parë djegëse disa tuba plastike. Pronaret e këtyre furrave sigurojnë jetesën duke fituar pak lekë nga shitja e gëlqeres, por njëkohësisht helmojnë edhe familjaret e tyre dhe gjithë banorët që jetojnë në këtë zonë. Ndërkohë strukturat shtetërore që çdo ditë në konferenca për shtyp flasin për mbrojtje mjedisi, për një Shqipëri të pastër dhe turizëm, mbyllin sytë ndaj kësaj masakre.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Shkatërrohet Dardha, pa rrugë, ujë dhe energji elektrike
Dardha turistike edhe këtë vit vuan nga mungesa e ujit dhe dritave, ndërkohë që rrugët e brendshme janë të dëmtuara. Çezmat karakteristike nuk kanë më ujë, ndërsa ndriçimi edhe pse i rikonceptuar së fundi nuk funksionon. Ndërsa kalldrëmet e vjetra janë prishur që me fillimin e ndërtimit të 57 shtëpive të reja nga pushuesit ne vitet e fundit. Të tëra i kemi bërë gati të presim sa më shumë turistë, sepse Dardha është një vend turistik shumë i bukur, me ajër të pastër”, thotë një banore. Qytetarët korçarë shpesh herë i drejtohen livadheve të Dardhës për fundjavë, por ajo që lënë pas është një mal i madh me mbeturina të ushqimeve që konsumojnë. Dimri ka qenë shumë i gjatë dhe kemi pasur disa dëmtime të lokalit. Tani po bëjmë ndërtimet dhe presim të na vijnë vizitorë, thotë një tjetër. Pavarësisht dëmtimit nga dora e njeriut, natyra mbizotëron në Dardhë duke bërë banorë të saj edhe të huajt, tashmë besnikë që prej 15 vjetësh. Do zhvillohet si vend turistik dhe ka marr formën. Më shumë më pëlqen natyra në këtë vend. Jam dhe pak botanist dhe ka shumëllojshmëri lulesh në male, shprehet në media Peter Platcmann, turist. Pas mbylljes së sezonit turistik dimëror që nuk qe i suksesshëm si vitin e kaluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora, tashmë korçarët si të vetmit investitorë dhe punëtorë që mendojnë për turizmin e fshatit të tyre, presin pushuesit nga brenda dhe jashtë vendit.