E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero: Titulli për ata që ishin në Serinë B

Alesandro Del Piero dhe Xhanluixhi Bufon janë dy idhujt e Juventusit dhe ky titull ishte një formë shpagimi pas shumë vitesh vuajtje me një ekip që nuk po shfaqej në lartësinë e duhur. Por pikërisht këto vuajtje janë ato që i vijnë në mendje dy kampionëve pas fitores së titullit me bardhezinjtë.
Del Piero
Kjo mbrëmje më shpagon për shumë gjëra, duke filluar nga ajo që ka ndodhur në vitin 2006, një epilog i çuditshëm. Pas Serisë B, ky triumf ka një shije të veçantë. Kam dëshirë të kujtoj atë skuadër që ka luajtur në Serinë B dhe të gjithë djemtë që kanë kaluar në këtë ekip që prej asaj periudhe, ishin fjalët e Del Pieros.
Bufon
Kjo ka qenë një hakmarrje e vogël edhe për Bufon, të cilin shumë shpesh e kanë kritikuar duke e cilësuar një portier të mbaruar pas problemeve të dy sezoneve të kaluara. Pas Botërorit të fituar në vitin 2006, ky është gëzimi më i bukur në karrierë. Kjo skuadër është një shpagim, arsyeja për të cilën qëndrova te Juventus. Nuk mund të largohesha pa fituar asgjë. Që në korrik e kisha kuptuar se mundtë fitonim dhe ia kisha thënë dhe disa prej djemve të Milanit, shprehet portieri, i cili ashtu si kapiteni nuk ngurron të kujtojë disa nga futbollistët që zbritën bashkë me të në Serinë B. Ia dedikoj lojtarëve si Kamoranezi, Trezege, Nedved e Salihamixhiç. Nuk ishte e lehtë të zbrisje në Serinë B pasi kishim fituar Botërorin apo kishim qenë protagonistë, por e bëmë pasi ky klub është historia e futbollit. Duhet të falënderoj edhe skuadrën e Inter, njoh Zanetin dhe shpesh i kam dërguar mesazhe. Këtë radhë i kërkova ndihmë, duke i thënë që të mos bënin shaka

Gattuso: Urime Juves
Edhe Gennaro Gattuso i thur elozhe Juventusit përsa i përket titullit kampion. Mefushori nga Kalabria ka përgëzuar ekipin e Contes duke deklaruar se skuadra e ka fituar kampionatin me meritë sepse kanë zhvilluar një sezon fantastik pasi kuqezinjtë duhet të kishin luftuar më shumë dhe të mos kishin hedhur asnjë hap fals. Sipas lojtarit bardhezinjtë janë një ekip që janë rritur ndeshje pas ndeshje për të mbërritur deri te titulli.

Conte: Titulli, ndjenjë e jashtëzakonshme
Është diçka shumë e bukur, fantastike, e jashtëzakonshme. Jemi të kënaqur që kurorëzuam këtë sezon të mrekullueshëm. Këto janë fjalët e trajnerit të Juventusit, Antonio Conte, pas fitores së titullit kampion në Serinë A të bardhezinjve. Meritë për këtë arritje kanë lojtarët dhe tifozët që besuan tek ne që në fillim. Jemi përballur me një kundërshtar shumë të fortë si Milani. Jemi kampionë dhe nuk duhet të falenderojmë askënd sepse titullin e fituam me forcat tona. Kemi 37 ndeshje radhazi që nuk humbasim dhe nëse e mbyllim pa humbje do të ishte diçka historike, shton tekniku italian. Kapiteni Del Piero ia dedikoi fitoren të gjithë atyre që kanë kaluar nga Seria B para gjashtë vitesh: Mbyllet një cikël i bukur për mua. Dua të kujtoj të gjithë ata që kanë kaluar eksperiencën e Serisë B sepse e di që janë gjashtë herë më të lumtur. E konsideroj këtë titullin tim numër 8 (numëron edhe dy Scudetto-t e hequra pas skandalit Calciopoli). Ndërsa Andrea Pirlo, i cili sezonin e kaluar la Milanin për bardhezinjtë, deklaroi se ndihet ende një futbollist i madh: Erdha tek Juventusi për të fituar dhe ia arrita qëllimit. Kisha bindje të plotë në aftësitë e mia dhe tregova se jam ende numri 1.

Allegri dhe Galiani: Juventus e meritoi titullin
Massimiliano Allegri ka komentuar humbjen e Milanit në derbin ndaj Interit dhe në të njëjtën kohë fitoren e titullit kampion një java para përfundimit të kampionatit nga ana e Juventusit. E merituan titullin sepse grumbulluan shumë pikë. Mendoj se në krahasim me sezonin e kaluar duheshin më shumë pikë për ne dhe kështu ndodhi. Bardhezinjtë kanë bërë një sezon të madh, ndërsa ne jo dhe aq. I falenderoj lojtarët e mi dhe kam besim se vitin e ardhshëm do të luftojmë sërish për trofe, theksoi pas ndeshjes tekniku i kuqezinjve. Në lidhje me derbin, Allegri deklaroi: U munduam të bënim maksimumin për të fituar, por nuk ishte e mundur. Kur u pyet se si Milani mund ti afrohet nivelit të Juventusit sezonin e ardhshëm, Allegri deklaroi: Nuk kemi pse afrohemi sepse jemi në të njëjtin nivel. Gjithashtu Juventusi tashmë do të luajë në Ligën e Kampioneve dhe ky kompeticion ndikon shumë gjatë sezonit. Jam kurioz të shoh si do të reagojnë kur të kenë shumë ndeshje për të luajtur. Edhe administratori kuqezi Adriano Galiani ka deklaruar se Juvja e meritoi titullin. Galiani deklaroi për mediat italiane se e ka marrë në telefon Presidentin e Juves Andrea Anjeli për ti uruar fitoren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›