Ngritja dhe rënia e yllit politik të Nikola Sarkozy-së
Pavarësisht fushatës së tij intensive, elektorati në fund, vendosi t’ia besonte votën sfidantit socialist Francois Hollande. Sarkozy përdori çdo armë të mundshme kundër rivalit të vet të madh. Ishte çdo ditë i pranishëm në median franceze përgjatë këtyre javëve të fundit, herë përmes apeleve të drejtpërdrejta për popullin francez, herë me shpërfaqjen e një figure vullnetarisht polemizuese dhe cinike.
Megjithatë nuk e shmangu dot etiketimin si i pari president i Francës pas Luftës së Dytë Botërore, që humbet zgjedhjet pas një mandati presidencial. Francezi me rrënjë hungareze dhe greke, beri emër me deklaratat e tij bombastike. Për herë të parë, Sarkozy u vu re ndërkombëtarisht në dritën e prozhektorëve në 2005-ën, kur vizitoi familjen e një 11-vjeçari të vrarë nga një plumb-qorr, pasojë e një beteje mes bandash në La Courneuve, pranë Parisit. Si ministër i Brendshëm që ishte asokohe, ai mbante përgjegjësinë e sigurisë në periferitë e kryeqytetit, ku papunësia dhe kriminaliteti janë të larta. Sarkozy përdori metaforën e spastrimit me presion të lartë në zonë. Komentet e tij shkaktuan indinjatë në shumë pjesë të botës.
Vetëm disa muaj më vonë, dy djem të rinj emigrantë vdiqën me tmerr në një kabinë elektrike, teksa i fshiheshin policisë. Franca ende e ka të freskët kujtimin e dhunës që përfshiu periferitë e Parisit, makinat e djegura e përleshjet me policinë. Por kjo i erdhi për shtat linjës së ashpër të Sarkozy-së dhe shumë u pajtuan me të.
Prania e tij në media u shtua përmes sulmeve verbale. Në një prej tyre komentoi, “Njerëzve që i vënë flakën një autubusi, e çojnë në spital një fëmijë 18 muajsh, u them vetëm kaq: Ju jeni plehra”.
Përpara se të vihej në krye të Ministrisë së Brendshme, Sarkozy kish qenë kryetar i njësisë bashkiake Neuilly-sur-Seine. Por vetëm me postin e mëpasshëm, ai do të arrinte të merrej me subjektet e veta të preferuara: sigurinë dhe emigracionin. Ata që jetojnë në France dhe duan të përfitojnë prej kësaj, duhet të respektojnë ligjin: ky ishte mesazhi i pagabueshëm i tij.
6 maji 2007 shënon kulmin e karrierës së Sarkozy-së me origjinë hungareze, por aq të ashpër me emigrantët. Nga siguria e brendshme, shume shpejt do të zbulonte edhe qasjen për politikën e jashtme. Gjatë vizitës së parë si president në Berlin, ai shpjegoi se pas shumë sprovash të kaluara, marrëdhënia franko-gjermane, nuk duhej sakrifikuar.
Prej këtu, nuk ishte i largët momenti kur Sarkozy dhe Angela Merkel do të gjenin mënyrën e farkëtimit të një aleance të ngushtë. Me përhapjen e krizës së eurozonës, fuqia e dyshes do të shtohej aq shume sa njerëzit nisën ta shihnin si ‘duo-n’, që mund të udhëhiqte Europën përmes këtij ngërçi. Por vullneti i Sarkozy-së për të adoptuar pozicione të fuqishme nuk e favorizoi shumë në shtëpi. Niveli i popullaritetit të tij mes francezëve kishte rënë që përpara zgjedhjeve presidenciale. Elektoratit nuk i interesonte shume ç`bëhej jashtë kufijve. Gjithë çfarë donin francezët nga presidenti i tyre i ardhshëm ishte krijimi i vendeve të punës, krijimi i një rrjete të sigurisë sociale dhe dorë e fuqishme menaxhuese për krizën e borxhit.
Humb zgjedhjet në Francë, Sarkozi: Largohem nga politika
Dy ditë pas zgjedhjeve presidenciale ish-presidenti Nikolas Sarkozi tërhiqet përfundimisht nga politika. Largohem nga politika. Kështu deklaroi dje rreth orës 14:00 ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi, para mbështetësve të tij në Elize. Deklarata e Sarkozi, vjen pas humbjes në zgjedhjet presidenciale në Francë, të cilat u zhvilluan tw dielën në të gjithë vendin, dhe ku u shpall fitues, socialisti, Fransua Hollande. Sarkozi tha se tashmë një kapitull për të është mbyllur, ndërkohë që bëri me dije se nuk do ta drejtonte partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Për mua mbyllet një kapitull. Nuk do jem kandidat në zgjedhjet legjislative dhe as në zgjedhjet e ardhshme. Jini të qetë,- u shpreh i buzëqeshur Sarkozi, duke deklaruar se do të rinovojë teserën e partisë që ai drejtonte (UMP), por sipas tij duke mos qenë më aktiv. Lajmi ende jo zyrtar, bëhet i ditur nga përditshmja franceze Le Figaro, e cila citon se ish-kreu i Elizesë u shfaq para mbështetësve i lodhur dhe i tërhequr në fytyrë. Një vendim i tillë i Sarkozi ishte i paralajmëruar, pasi pas shpalljes së rezultateve paraprake, të cilat nxirrnin fitues socialistin Fransua Hollande, në konferencën për mediat ai bëri me dije se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, dje Presidenti i ri i Francës Fransua Hollande u prit me duartrokitje si një hero kur mbërriti në zyrat e Partisë Socialiste në Paris. Hollande pritet të bëjë betimin e presidentit me 15 maj.