E Diel, 1 Nëntor 2026

Farmacitë, Kosova: Do mbyllen ato që nuk plotësojnë standardet

Ministri takon grosistët: Asnjë firmë farmaceutike nuk do lejohet të abuzojë për të fituar një tender

Halim KosovaTë gjitha farmacitë që nuk i përmbushin standardet sipas ligjeve në fuqi, do të mbyllen. Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova, është treguar i qartë ndërsa ka thënë se në treg do të konkurrojnë vetëm ato farmaci të cilat operojnë konform rregullave, dhe për këtë do të nisin kontrollet në të gjitha farmacitë e vendit për të verifikuar nëse plotësojnë kriteret e duhura. Këto deklarata ministri Kosova i bëri gjatë një takimi me grosistët, me të cilët diskutoi për  çështjen e medikamenteve në spitalet tona.

Farmacitë
Sa i përket problemeve që lidhen me sistemin farmaceutik, do bëj një kontroll nëse farmacitë i kanë të gjitha kushtet sipas ligjit në mënyrë që në treg të konkurrojnë ato farmaci që përmbushin kushtet, tha Kosova. Ai kërkoi gjithashtu një luftë më të ashpër për të parandaluar abuzimet në tregun e medikamenteve. Sipas tij prokurimi i medikamenteve do të bëhet në mënyrë transparente.
Medikamentet
Nëse do të ketë veprime jokorrekte në drejtim të menaxhimit dhe prokurimit të ilaçeve, do të thotë që fondi për sistemin e shëndetësisë do të shkojë i copëtuar duke hasur mungesa në punën tonë të përditshme pasi krijon terren edhe për veprimet e paligjshme. Prandaj ne do të presim çdo lloj rruge që nuk i shërben punës, theksoi Halimi. Një tjetër problem që ministri Kosova ngriti ka qenë edhe ambalazhimi i ilaçeve për të cilën u shpreh se do të kontrollohen për çdo shkelje të mundshme.
Falsifikimi
Nuk do lejohet asnjë firmë farmaceutike që të abuzojë për të fituar një tender. Mungesa e konkurrencës çon në çmime të larta të ilaçeve.  Ka sinjale për falsifikimin e medikamenteve, megjithatë kjo çështje do të verifikohet, pasi ndodh që shumë ilaçe riambalazhohen duke u falsifikuar origjinën, tha më tej Halimi. Aktualisht tenderi për medikamentet është drejt mbylljes, ndërkohë që afati i fundit i tij është dita e sotme (15 maj). Ministri i Shëndetësisë tha se ky do të jetë një proces transparent, ndërsa sa i përket çmimit të barnave, vendi ynë renditet ndër shtetet që kanë çmimet më të ulëta në rajon.

Jaupllari : Nivel i dobët i farmacistëve të rinj
Urdhëri i Farmacistit kërkon rritje të pikëve për kalimin e provimit të shtetit. Sipas kreut të Urdhërit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari kalueshmëria në provimin e shtetit të këtij viti për farmacistët e rinj ka qenë 47.8% dhe kjo e ndikuar më së shumti prej universiteteve private.Pikërisht për këtë Jaupllari u shpreh se duhet që të ngrihen barriera që në momentin e kualifikimit të studentëve. Jaupllari gjithashtu bëri thirrje që të mos jepen kaq shumë kuota për studentë pasi tregu ynë ka një mbingopje me farmacistë dhe për këtë duhet të merren masa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›