E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farmacitë tregtojnë mbi 200 barna pa recetën e mjekut

Kur inspektorët “zbulojnë” rastet e shitjes së ilaçeve pa rekomandim, si antidepresantë, hiqet licenca Në diskutim tregtimi i këtyre ilaçeve edhe në supermarkete apo hipermarkete, njësoj si në BE

Askush deri më sot nuk e ka faktuar arsyen e vërtetë përse shqiptarët priren të konsumojnë shumë ilaçe. Në pjesën më të madhe të rasteve çdo dhembje kërkojmë ta mundim duke blerë barna. Dhe në rastin e dhimbjes së parë, ajo që përdoret është alternativa që mjekët në Bashkimin Europian do ta këshillonin në rastin kur dhimbja ka kaluar në stade të avancuara.

Pakkush e di, por ilaçet të cilat ne i blejmë pa pasur nevojë për recetë quhen barna OTC. Kjo do të thotë që këto medikamente mund të merren lehtësisht në farmacitë shqiptare, ashtu si në BE, edhe pa pasur rekomandimin e mjekut në një recetë të firmosur e vulosur.

Barnat OTC

Të gjitha këto barna që tregtohen pa pasur kufizime, janë ilaçe të aprovuara për çdo vit në një dokument zyrtar nga strukturat shtetërore. Lista e barnave OTC është një dokument ku listohen të gjitha barnat dhe ilaçet, që sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian mund të tregtohen pa asnjë shqetësim edhe pa rekomandimin e mjekut. Këto barna janë kryesisht për qetësim dhembjesh apo për shqetësime të vogla, për të cilat qytetarët nuk “kanosin” rrezikun e efekteve anësore. Madje, një pjesë e mirë e tyre njihen mirë e janë provuar për vite me radhë, aq sa edhe mund të sugjerohen mes qytetarëve. Edhe për këtë vit, barnat që do të vazhdojnë të tregtohen lirshëm do të jenë rreth 200. Ndërkohë që një ide është në fazë diskutimi. Bëhet fjalë për tregtimin e këtyre lloj medikamentesh në supermarkete, dyqane. E njëjta procedurë njihet edhe në vende të tjera perëndimore, për vite me radhë.

Shqiptarët marrin shumë ilaçe

Nga studimet e tregut, si edhe nga mendimet e specialistëve, shqiptarët i përdorin dhe i konsumojnë shumë barnat. Ata kanë besim se nën efektin e tyre do të gjejnë shpëtim për problemet e tyre shëndetësore. Një nga psikozat e pacientëve në vendin tonë është marrja e alternativave të fundit, më të forta, edhe për dhembje të zakonshme, apo për shqetësime të parëndësishme të organizmit.

Shqiptarët pinë ilaçe pa kriter, shkojnë në barnatore për të blerë medikamente sipas mendjes së tyre dhe farmacitë japin të gjitha llojet e barnave, pavarësisht rrezikut.

Por jo vetëm kaq. Mjekët shqiptarë që shkruajnë një recetë të mbingarkuar me barna janë të pakualifikuar dhe e gjithë “fryrja” që u bëjnë pacientëve me ilaçe vjen si pasojë e paaftësisë së tyre.

Të gjitha këto fakte janë bërë publike dy vjet më parë, pas një studimi të kryer nga Banka Botërore. Studimi i Bankës Botërore bën një krahasim lidhur me shpenzimet për barna që bën vendi ynë krahasuar me vende si Sllovakia, Hungaria, çekia, Japonia, Greqia, SHBA-ja dhe Holanda.

“Krahasimi i këtyre të dhënave tregon qartë tendencën se Shqipëria kërkon t’i zgjidhë problemet shëndetësore më shumë përmes medikamenteve”, thuhet në studim.

Kur inspektorët “zbulojnë” rastet e shitjes së ilaçeve pa rekomandim, si antidepresantë, hiqet licenca apo masa të tjera administrative.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›