E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, pranga 4 trafikantëve me gjysmë kg kokainë

Goditja u bë te “Shtatë Xhuxhat”. Vlera e drogës, rreth 40 mijë euro. Operacioni vijoi deri në orët e mëngjesit

Goditet një rrjet i trafikut të kokainës në Tiranë, duke çuar në pranga katër persona. Operacioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme, por ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Nga informacionet e para, policia tha se ka sekuestruar gjysmë kilogram kokainë, por nuk përjashtohet mundësia që sasia të jetë edhe më e madhe. Operacioni ka zgjatur për disa orë, ndërsa goditja është realizuar te “Shtatë Xhuxhat”, pranë Rrugës së Elbasanit. Sipas të dhënave të para hetimore, hetimi për këtë operacion kishte nisur muaj më parë, por ka qenë tejet e vështirë goditja përfundimtare e rrjetit. Prej dy ditësh, agjentët e antidrogës kanë mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit, ndërkohë që hetimi është intensifikuar paraditen e djeshme. Fillimisht, grupi është mbajtur nën vëzhgim te rruga “Myslym Shyri”, ndërsa në mbrëmje, kur do të bëhej shitja e drogës, është zhvendosur te Rruga e Elbasanit. Rreth orës 20.00 është bërë ndërhyrja për goditjen e grupit të trafikut të kokainës, të cilët lëviznin me makina luksoze. Në moment, policia ka mundur të kapë katër persona, emrat e të cilëve do të publikohen sot dhe ka gjetur 500 gramë kokainë, që mendohet se arrin një vlerë prej 40 mijë eurosh. Të katër personat dhe mjetet e tyre janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa operacioni ka vijuar edhe në disa zona të tjera. Gjatë natës, shërbimet e antidrogës kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat e të shoqëruarve, por deri në orët e vona, ende nuk ishte vendosur se çfarë masash do të merreshin për ta. Grupi i shoqëruar mendohet se merrej me trafikun e kokainës drejt Shqipërisë dhe shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit. Burime të besueshme shpjeguan se ata shisnin në sasi të mëdha për shpërndarës të ndryshëm dhe janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit për goditjen e tyre. Policia tha se sasia e kokainës mund të jetë më e madhe dhe janë sekuestruar edhe objekte të tjera të jashtëligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›