Në shtator, shumë mësues hiqen nga puna
Reforma në arsim, e cila gjatë gjithë këtyre viteve ka nënkuptuar vetëm shkurtime nga puna, nuk ka përfunduar ende. Shumë mësues që aktualisht punojnë me kontrata të rregullta në shkollat e mesme në vend, do të detyrohen që të kërkojnë punë te privatët. Kjo për shkak të largimeve të reja që pritet të ndodhin me çeljen e vitit të ri shkollor në muajin shtator.
Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë Arsimore në kryeqytet, shkak për këtë reformë të fundit do të bëhet mbyllja e viteve të katërta në shkollat e mesme. Kjo, si pasojë e ndryshimeve që ka pësuar sistemi parauniversitar. Kështu, shkollat tetëvjeçare u shndërruan me nëntë nivele dhe gjimnazet nga katër vite mbesin me tre. Në vitin e ri 2010-2011 është edhe brezi i parë i nxënësve që mbaron shkollën e mesme të nivelit trevjeçar.
Afrimi i fundit të shkollës dhe pritja e shtatorit, ndonëse për shumëkënd mund të duket si një kohë jo dhe aq e shkurtër, ajo nuk është e tillë për mësuesit e gjimnazeve. Në kryeqytet, edhe pse mundësitë për të gjetur vende pune në shkollat private janë më të mëdha se sa në rrethe, për shkak të numrit të madh, sërish frika e largimit nga puna i ka pushtuar jo pak arsimtarët. Të gjithë presin daljen e kritereve që do të bëjnë edhe seleksionimet për ata që do të duhet t’u thonë lamtumirë shkollave ku kanë dhënë mësim deri tani.
Grupet e punës në drejtoritë arsimore në Tiranë e në rrethe pritet që të ngrihen e të funksionojnë në mënyrë intensive, sidomos gjatë sezonit veror. Muaji gusht mësohet se do të jetë vendimtar për fatin e shumë mësuesve, numri i të cilëve tanimë është i vështirë për t’u llogaritur, por që sipas parashikimeve nuk do të jetë as i vogël.
Këtij ndryshimi i rëndon akoma edhe më shumë ngarkesa e re mësimore e miratuar disa kohë më parë nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ajo vuri në rrezik të madh edhe largoi nga puna jo pak mësues, ku të parët në listë ishin të punësuarit me kontrata të përkohshme me MASH-in. Por tanimë çështja e kontratave, bëhet e ditur, nuk do të luajë ndonjë rol vendimtar në këtë proces shkurtimesh në arsim. Kjo edhe për faktin se një pjesë e mësuesve nuk do të mund të plotësojnë ngarkesën e përcaktuar me 22 orë mësimore në javë. E për rrjedhim largimi i tyre do të jetë i pashmangshëm.
Lidhur me këtë çështje, vetë mësuesit pohojnë se do të ishte mirë që ministria, së bashku me drejtorinë arsimore, të nxjerrin një listë me kritere dhe procesi të jetë transparent. Sipas tyre, emrat që do të duhet të lënë arsimin publik nuk duhet të vendosen thjesht dhe vetëm në përputhje me preferencat e drejtuesve. Ato duhet të mbështeten mbi kritere profesionale, ku jo pak vend, pohojnë ata, duhet të zërë eksperienca në punë, por edhe kualifikimet, pa lënë mënjanë rezultatet gjatë procesit të mësimdhënies.
#