E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farsa elektorale në PS, gara Zela-Tahiri si ajo Rama-Lakrori 3 vjet më parë

03-03-2012 / Gazeta 55

UPDATE- Sot, Partia Socialiste zhvillon zgjedhjet për kreun e degës së Tiranës. Garojnë kryetari i komanduari Sajmir Tahiri dhe i rikthyeri në PS, ish themeluesi i FRESSH-it, Ilir Zela. E njëjta skemë dhe i njëjti kurs me qëllim zhdukjen e demokracisë së brendshme, duke sajuar kandidatura fiktive, thjesht e vetëm për të siguruar rimandatimet përmes një gare ilegjitime. Thuajse 3 vjet më parë u bëmë dëshmitarë të një shëmtie të pashoq në lidhje me një garë elektorale brenda një partie politike. Edi Rama zgjodhi si “sfidant” të vetes së tij, Maqo Lakrorin i cili në këtë rast do shërbente si komardare për të shpëtuar uzurpatorin e PS-së, nga dallga mbytëse e humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Dhe ia doli mbanë të rikonfimohet në krye të PS në atë garë të paligjshme e cila s’kishte asgjë demokratike. Gjithçka u bazua në një skenar të mirë përgatitur që si funksion parësor kishte t’i tregonte dhëmbët kritikëve në PS të cilët me të drejtë kërkonin kokën e Ramës, për humbjen e dyfishtë në 2009-ën. Po ashtu, kandidatura false e Lakrorit do manipulonte edhe bazën socialiste me ri-mandatimin e Ramës.
Sot, 3 vjet më pas në skenë shfaqet një tjetër kandidaturë kukull, Ilir Zela. Me shumë vite përvojë politike, kontribute dhe si përfaqësues i vlerave evropiane të modernizimit të PS-së nën drejtimin e Fatos Nanos, i shumëzoi me zero të gjitha këto, që nga momenti kur pranoi të vihej në ballë të garës për kryetarin e PS-së së Tiranës, duke besuar një proçes me vlera konkurruese. Dhe të mendosh që sfidanti ishte Saimir Tahiri, i zgjedhuri personal i Edi Ramës prej 6 muajsh si kryetar i PS-së së Tiranës. Vërtetë mendonte Ilir Zela, ish themeluesi i FRESSH-it, sot i rënë në dorë të ish-Mjaft-istëve të Erjon Veliajt, se gara për kreun e PS-së së Tiranës do ishte demokratike do fitonte më i miri, falë votës së 600 anëtarëve të PS-së së Tiranës? Kjo është çështje e z.Zela, por pas shëmtisë së vjeshtës 2009-ë, në PS rikthehet edhe një tjetër shëmti e quajtur Zela-Tahiri dhe në fund të fundit, fituesi dihet, pasi zgjedhja nuk bazohet te vota e socialistëve të Tiranës, por te dëshira dhe vullneti personal i Edvinit, për të pasur pranë vetes partizanin e Kombinatit që është akuzuar për sjellje të papërshtatshme edhe ndaj deputetëve të PS, si incidenti në takimin e Arben Malajt dhe Andis Harasanit. Replika të ashpra, deri në sharje dhe fyerje me Arben Malajn në Kuvend. Apo edhe përplasjet verbale me Erjon Braçen brenda selisë së PS.
Në fund të farës së sotme, Sajmir Tahiri do rimandatohet në krye të degës së PS-së së Tiranës dhe bashkë me formacionin e tij të zhurmuesve, do marrë në dorë frenat e PS-së së kryeqytetit, duke krijuar kështu një celulë jo-socialiste që s’do ketë asgjë të përbashkët me politikën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›