Tryeza e PS me ish të përndjekurit, hipokrizia e radhës e pinjollit të nomeklaturës

Reagon Partia Demokratike: Edvini t’i kërkojë falje të përndjekurve për krimet e familjes së tij
Hipokrizi e ka cilësuar Partia Demokratike tryezën e Partisë Socialiste me ish të përndjekurit, por për ironi të fatit paneli kryesohej nga ish ministri i fundit i regjimit komunist, i akuzuar për masakrën e 2 prillit në Shkodër, sot deputet i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi si dhe Edvin Kristaq Rama pinjolli i firmëtarit të ekzekutimit me varje në qendër të Kukësit, të poetit Havzi Nela. Dashuri e viktimës me kriminelin apo e njohur ndryshe si Sindroma e Stokholmit. Por, barbaria komuniste s’njeh as njërën dhe as tjetrën. Kriminel nuk është vetëm ai që ka tërhequr këmbëzën e pushkës apo ka tërhequr litarin e lidhur për fytin e viktimës, por krim dhe kriminel është një sistem i tërë që bazonte jetëgjatësinë e sundimit të pushtetit përmes gjakderdhjes. Edi Rama mblodhi tryezën me ish të përndjekurit, duke harruar si i ati i tij biologjik, ka miratuar ekzekutimin e poetit Nela. Edi Rama mblodhi tryezën me ish të përndjekurit, duke harruar se numri 2 i tij, Gramoz Ruçi ish ministër i Brendshëm i regjimit komunist, ka dhënë urdhër për ekzekutimin e 4 të rinjve në Shkodër. Pra, e gjithë angalla e propagandës politike, dështoi në mënyrë të trishtë pasi si njëri ashtu edhe tjetri, i kanë duart të lyera me gjakun e të përndjekurve dhe të burgosurve politik. Në një konferencë për shtyp deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, deklaroi se, Edi Rama para se të organizojë tryeza, t’u kërkojë të falur ish- të përndjekurve për krimet që familja e tij politike dhe biologjike u ka bërë atyre. “Rama duhet të kërkojë fillimisht ndjesë për krimet monstruoze të kryera ndaj shqiptarëve nga familja e tij politike gjatë viteve të diktaturës. Janë mbi 5000 të pushkatuar dhe dhjetëra mijëra të burgosur. Edi Rama duhet të kërkojë falje edhe për krimet ku është përfshirë drejtpërdrejtë familja e tij biologjike. Dhe jo në vitin e largët 45, por në vitin 88. Babai i Ramës, Kristaq Rama, firmosi varjen e Havzi Nelës. Për këdo që mendon se ky është një ekzagjerim ne po ju vëmë në dispozicion sot dokumentin e aktit final që coj në varjen e poetit Avzi Nela, dokument që mban firmën e Kristaq Ramës. Por, Rama nuk kërkon falje, as në emër të familjes së tij politike dhe as në emër të familjes së vetë biologjike. Hipokrizia është një vrasje për së dyti, është një dënim për së dyti”- u shpreh Kadilli. Ai shtoi se Partia Demokratike mbetet forca politike e cila që nga dita e themelimit ka vënë në themel të saj përpjekjet për të lehtësuar dhimbjen e atyre që u masakruan në komunizëm. “Partia Demokratike mbetet forca politike që ka që nga dita e parë e themelimit, në moralin e saj, në frymëzimin dhe në aksionin e saj politik mbështetjen ndaj atyre që u masakruan në 50 vjet terror komunist”- tha më tej ai.