E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farsa zgjedhore

Gati në tërë Ballkanin mashtrimi zgjedhor është specialitet, por zgjedhjet e së dielës në Maqedoni ishin një tregim i pastër sesi dhunohet e drejta e qytetarëve për zgjedhje të lira, të pastra dhe të ndershme. Tërë tregimi, siç shpesh ndodh te ne, i ka rrënjët në histori. Siç dihet deri në vitin 2001 qeveriste PDSH dhe papritmas ia behu një burrë jo i panjohur në mërgatën shqiptare, nëse konceptohen aktivitetet kombëtare të diasporës, i quajtur Ali Ahmeti. Lufta e nisur nga Aliu me bashkëmendimtarë nuk e zgjidhi statusin e shqiptarëve në Maqedoni dhe as nuk e ndryshoi rrënjësisht, por e aktivizoi çështjen shqiptare... Në cepin tjetër të rrugës ishte duke pritur në semaforin e politikës Menduh Thaçi, i cili tërë këtë aktivitet të Ali Ahmetit dhe BDI së sotme e konsideron sipas një tregimi të tij si një luftë të pastër për pushtet e jo për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Pasi nuk kuptuan me vite se çfarë ishte lufta e 2001, luftë apo tregim fantastik, të dielën zbritën në mejdan të dy burrat me dy parti dhe militantë, për të luajtur vallen që pritej, lojën pa fitues, regresin dhe shkatërrimin e zgjedhjeve. Në fakt, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti do të talleshin me vetveten dhe opinionin, nëse iu shkon mendja që të bëjnë shaka apo mahi të 1 prillit dhe të thonë me pahir se ndonjëra parti i fitoi zgjedhjet në kampin shqiptar. Në tërë këtë histori kemi dy palë dhe dy parti më të fuqishme shqiptare që fajin duhet ta ndajnë 50% me 50%, tërësisht baras, sepse tragjedinë e së dielës në pjesën shqiptare të zgjedhjeve e shkaktuan në bazë të një marrëveshjeje xhentëllmenësh të dy protagonistët, përplasjen nuk e shkaktoi populli, por militantët dhe fjalori, metodat e papërshtatshme në drejtim të kundërshtarit dhe, në fund të fundit, e bekuara karrige, kjo ëndërr për pushtet që nuk është vetëm ëndërr. Kështu, zgjedhjet i shkatërruan dy protagonistë, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti apo Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, njëri me padurueshmërinë për të qëndruar në pushtet, ndërsa tjetri me padurueshmërinë për të ardhur në pushtet - madje ky i fundit në zgjedhjet e kaluara thoshte se “nuk bën të bie unë nga pushteti”. Kam përshtypjen se njëjtën gjë do të thoshte apo edhe mund të thotë gjatë këtyre ditëve edhe Menduh Thaçi.

Tërë ky tregim ka një kosto: qytetarin e thjeshtë, i cili nuk po mundet dot në të gjitha viset ku banojmë ne “bijtë krenarë të shqipes” të lirohet nga militantizmi dhe urrejtja politike. Kështu, zgjedhjet në Maqedoni degjeneruan në një farsë të parashikueshme që më parë, nga zgjedhjet kaluan në tregime fantastike, saqë, po të shikosh deklaratat për shtyp të Menduhit dhe Alisë apo Alisë dhe Menduhit, nuk e di njeriu i shkretë se kush ka fituar apo kush ka të drejtë, sepse aty e kanë sjellë punën, që asnjëri të mos ketë të drejtë dhe asnjëri të mos ketë fituar.

Ka edhe një humbës në mes, bashkësia ndërkombëtare, e cila ndër vite po tenton të sjellë konceptin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Tërë ky rrëfim duhet të përfundojë shumë shpejt, sepse këto nuk ishin zgjedhje, ishin farsë e kulluar, tregim i përgjakshëm që e shndërruan procesin në fantazmë zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›