E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trio e çuditshme në Millenium

 

Kinema

Një individ i refuzuar nga shoqëria, një kriminel i pa skrupullt dhe një prostitutë, që shan poshtë e lart në dialektin napolitan. Këta janë tre personazhet e filmit “Shoot’em up”, që po shfaqet në Kinema «Millenium» e që ka tërhequr vëmendjen e kritikës, jo për ngjarjen, apo lojën e aktorëve, por risinë në fushën e teknikës, një gërshetim mes fumetit dhe kinematografisë. Një film aksion, aventurë e komedi, me regji dhe skenar nga Michael Davis, ku interpretojnë Clive Owen, Paul Giamatti, Monica Belluci. Ngjarjet në filmin 86-minutësh sillen rreth zotit Smith, një njeri misterioz, që dëshiron të harrojë gjithçka që ka lënë pas vetes e të jetojë vetëm. Por papritur ai gjendet në mes të një përleshjeje me armë dhe ndihmon një grua për të lindur një fëmijë. Gruaja vritet dhe Smith vendos që të kujdeset për fëmijën që me sa duket është strumbullari i të gjithë konfliktit. Por mënyra e jetesës që bën Smith nuk është aspak e përshtatshme për një bebe, keshtu që ai i kërkon ndihmë bukuroshes D.Q., një prostitutë, që interpretohet nga Monica Belluci, që pranon ta ndihmojë. Në skedën e tij, “Shoot’em up” shënon edhe dy kandidatura për çmime në Satellite Aëard, njërin për aktorin më të mirë (Clive Oëen) dhe tjetrin për filmin më të mirë në gjininë e komedisë apo muzikalit. Ndonëse filmi e ka dhënë premierën gjatë vitit 2007, vazhdon të ketë një kalendar projeksionesh në kinema të ndryshme të huaja. Filmi ka filluar projeksionet në janar të këtij viti në Australi, për të vijuar në Danimarkë, Egjipt, Itali, Kroaci e Japoni. a.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›