E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balak: Gjermania ka një "tabu" për të thyer!

 

Që prej 12 vitesh Gjermania nuk ka fituar asnjë ndeshje në fazën finale të Kampionatit Europian

Mesfushori Mikael Balak ka thënë se zhgënjimi për finalen e humbur në Ligën e Kampioneve, me fanellën e Çelsit, është vetëm një kujtim i largët. Kapiteni i Gjermanisë është 100% i përqendruar te Euro 2008-a, për t'i dhënë fund një ecurie negative, që përfaqësuesja e tij ka pasur në dy europianet e fundit.

12 VJET - Eshtë shumë e çuditshme, por Gjermania, që e ka fituar tri herë Europianin, më shumë se kushdo tjetër, nuk fiton një ndeshje në këtë veprimtari që prej 12 vitesh. Fitorja e fundit ka qenë ajo e vitit 1996 në finalen e "Uembllit" ndaj Çekisë, e cila i dha trofeun skuadrës, që asokohe drejtohej nga Berti Vogst. Në Euro 2000 dhe në Euro 2004 gjermanët nuk kanë fituar asnjë takim dhe s'kanë arritur të kalojnë përtej fazës me grupe. Kësisoj, është e qartë arsyeja se përse Balak kërkon suksesin në ndeshjen e së dielës në Klagenfurt ndaj Polonisë.

BARAZIMET - Në dy europianet e fundit, Gjermania e ka nisur me barazime, 1-1. Kjo ka ndodhur me Rumaninë në vitin 2000 dhe me Holandën, katër vjet më vonë. Qëllimi i skuadrës së Lëvit është të bëjë një punë më të mirë. "Ndeshjet hapëse janë gjithmonë më të rëndësishmet, - tha Balak. - E kupton se sa gati je dhe, në rast të një fitoreje e gjen besimin e duhur për t'i përballuar të gjitha ndeshjet e veprimtarisë."

FAVORITET - Gjermania u rendit në vendin e tretë të kampionatit botëror dhe përpara ndeshjes së parë ndaj Polonisë konsiderohet si një nga favoritet për ta fituar Euro 2008-n. "Kemi një skuadër shumë të mirë, - tha 31-vjeçari Mikael Balak. - Ka edhe ekipe të tjera të mëdha që e synojnë titullin, por ne nuk duhet të kemi frikë. E treguam gjatë botërorit atë që jemi në gjendje të bëjmë. Gjithsesi, ndjeshjet e Europianit kanë vështirësinë e tyre dhe ne kemi një tabu për të thyer."

GATI - Me një kalendar të ngjeshur me ndeshje, përgatitja fizike e futbollistëve kryesorë bëhet e rëndësishme për fatet e çdo skuadre. Balak e gjeti formën ideale muajt e fundit të sezonit në Premier Ligë dhe u shpreh në nivele të larta me fanellën e Çelsit. Ai mori medaljen e argjendtë në Premier dhe Champions League, por nuk është i ndikur nga ky fakt. Balak e ka harruar humbjen në finalen e Ligës së Kampioneve, sepse është gati të shkruajë një kapitull të ri të karrierës së tij. "E kam harruar Moskën, - tha Balak. - Sezoni me Çelsin është mbyllur dhe tani mendoj vetëm për Europianin. Luajtëm dy miqësore të rëndësishme. Ndihem mirë dhe nuk jam i dëmtuar. Shpresoj që të jem në këtë gjendje gjatë gjithë Europianit."

PERGATITJET - Gjermania luajti të mërkurën ndeshjen e fundit përgatitëse, përpara ndeshjes të së dielës ndaj Polonisë. Skuadra e Lëvit fitoi me rezultatin 8-0 me skuadrën e të rinjve të Tiçinos, lokaliteti ku janë grumbulluar "pancezrat". Lëv i aktivizoi të 23 futbollistët në takimin ku Miroslav Klose dhe Mario Gomez shënuan nga dy herë. Golat e tjerë mbajnë firmën e Kevin Kuranit, Lukas Podolskit, Oliver Nojvilit dhe Tomas Hitclspergerit.

E.LUBANI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›