Pacientët protestojnë në Ministrinë e Shëndetësisë: Hemodializa në krizë, ka filtra vetëm për 10 dit
Konkretisht, bëhet fjalë për pakësimin e rezervave të filtrave të aparatit të dializës, e quajtur ndryshe “zemra e aparatit” të dializës. Shërbimi i dializës do të mund të ofrojë filtra vetëm për 10 ditë, ndërsa për pajisjet e tjera rezervat janë vetëm për gjysmën e këtij muaji. Shefi i shërbimit të nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska, deklaroi se, pakësimi i rezervave i ka frikësuar pacientët dhe kjo ka ndikuar që ata të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. Shërbimi i dializës ka mungesa të rezervave dhe më problematike është mungesa e filtrave të dializës, që janë edhe “zemra e aparaturës”, ndërsa rezervat e tjera janë vetëm për gjysmën e këtij muaji. Kriza që ka përfshirë QSUT-në dhe më kontretisht shërbimin e dializës ka bërë që në QSUT të organizohet një mbledhje urgjente, ku i pranishëm ka qenë edhe zv/ministri Arben Ivanaj dhe mjekët që punojnë në të shërbim për të gjetur rrugën e zgjidhjes. “Ne duam që shërbimi i dializës të furnizohet me rezereva të paktën për muajt qershor, gusht dhe korrik”, - tha shefi i shërbimit të nefrologjisë në QSUT, Thereska.
Sot në Shqipëri numërohen rreth 164 pacientë, të cilët marrin këtë shërbim në të gjithë vendin dhe kalkulimet e bëra nga Drejtoria Ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë kanë nxjerrë se duhen 15 mijë euro për të kuruar një pacient që vuan nga sëmundje të veshkave dhe kryen dializë.
Dializa është mundësia e vetme për të jetuar kur veshka nuk kryen më funksionin e saj të mëparshëm. Në kushtet kur kryerja e një transplanti është i kushtueshëm, kjo shihet si e vetmja mundësi për të jetuar.
Shërbimi i dializës vazhdimisht është përballur me vështirësi për sa i përket rezervave të bazës materiale dhe kryesisht edhe të medikamenteve dhe një vit më parë Ministria e Shëndetësisë hodhi idenë e privatizimit të këtij sektori, si mundësia e vetme për të ofruar kushte më të mira, por gjendja edhe pas një viti ka mbetur e njëjtë. Madje, problemet në këtë sektor duket se po thellohen akoma e më tepër, pasi rezervat për shërbimin e dializës po shterojnë dhe nëse nuk merren masa, situata rrezikon të vështirësohet më shumë duke rrezikuar edhe jetën e pacientëve.