E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fashizmi lind nga kiçi

Shkrimtari serb, Svetislav Basara, ishte ai që hapi Panairin Ndërkombëtar të Librit në Beograd. Basara është fitues i disa çmimeve serbe për letërsi. Ai shquhet për kritika ndaj sistemit, por nganjëherë edhe me mendime paksa kontradiktore - si këto më poshtë.

Gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë (një pjesë të së cilës po e sjellim për lexuesit tanë), Basara thekson se në Serbi ekziston baza nga e cila krijohet fashizmi: trullosja, provincializmi dhe shpirtngushtësia, ndërkohë që bartës i tij janë edhe një pjesë e skenës kulturore dhe shumica e partive politike.

REL: Sa inspiruese është motoja e sivjetme e panairit, “Librat i Bashkojnë Njerëzit”?

Basara: Motoja e panairit është një slogan marketingu. Librat i bashkojnë njerëzit, por, fatkeqësisht, ka edhe libra që i ndajnë ata. Do të grosistja që, megjithatë, ato t’i bashkojnë ata.

REL: Nëse librat i bashkojnë njerëzit, a ka në panair ndonjë libër të ndonjë autori shqiptar nga Kosova? A ka ndonjë botues ose shkrimtar kosovar?

Basara: Përnjëmend nuk e di këtë. Ka shumë botues, por nuk e di nëse ka edhe nga Kosova.

REL: A mendoni se këtu ka vend edhe për ta?

Basara: Ata e kanë vendin në panair, sidomos nëse e pranojmë se Kosova është pjesë e Serbisë. Pra, si botues nga Serbia, dhe shikuar nga pikëpamja e pushtetit të shtetit, ata gjithsesi e kanë vendin këtu.

RSE: Nëse nuk janë ftuar në panairin e librit, a do të thotë kjo atëherë se shkrimtarët, botuesit dhe bibliotekarët, në fakt, po e ndjekin logjikën e pushtetit?

Basara: Ende nuk e dimë nëse janë ftuar. Nëse jo, atëherë po e përcjellin logjikën e pushtetit. Sigurisht që Këshilli i panairit do të kishte probleme nëse do t’i kishte ftuar - nëse nuk i ka ftuar.

RSE: Në panair do të ekspozohet edhe libri juaj i fundit, me titull goxha provokativ ‘Mein Kampf”. Cili është Kampf’i juaj?

Basara: Ky fare nuk është titull provokativ, ngase në përkthim do të thotë Lufta Ime. Është provokativ për shkak se kështu quhej edhe libri i Adolf Hitlerit, por ky libër flet të kundërtën e asaj që fliste Hitleri. Kjo më pëlqen, sepse Hitleri ishte një shkrimtar i mërzitshëm, andaj edhe libri i tij është i mërzitshëm dhe kiç. Libri im flet për atë se fashizmi krijohet nga kiçi, e kiçi e ka pushtuar Serbinë dhe botën. Kiçi, qartazi, po mizëron globalisht.

REL: Ku e shihni burimin e fashizmit në Serbinë e sotme?

Basara: Në disa parti politike dhe tek disa partnerë të tyre joqeveritarë. Natyrisht, është vështirë të flitet për një fashizëm në kuptimin e plotë të fjalës. Këtu mungon shumëçka, ashtu që situata të mund të karakterizohej si fashizëm. Mirëpo, baza nga e cila krijohet fashizmi – trullosja, provincializmi dhe shpirtngushtësia – ekziston. E bartës të tij janë një pjesë e skenës kulturore dhe disa parti politike. Në fakt, shumica a tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›