Muçiqi akuzon FFK’në

Afrim Muçiqi është mllefosur në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e sidomos në deklaratat e kryetarit Fadil Vokrri, dhënë një mediumi kosovar të dielën.
Nënkryetari i klubit të futbollit Prishtina, insiston se udhëheqësit e futbollit kosovar nuk kanë bërë asgjë absolutisht për ta çuar futbollin e këtushëm përpara. Ai iu është referuar përpjekjeve dështuese të FFK-së për pranim në FIFA dhe UEFA, dhe për përgjigjen negative që shtëpia e futbollit kosovar mori ditë më parë, për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses.
“Ky është mossukses i këtyre njerëzve, në botën e civilizuar. Moralisht, ish dashtë që ky Komitet Ekzekutiv të japë dorëheqje dhe mos t’i marrë në qafë as donatorët, e as futbollin, sepse po më duket tepër vonë. Ne jemi tepër mbrapa shteteve të tjera. Ne tashmë futemi në rang me Gjibraltarin e Qipron”, theksoi Muçiqi, në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën.
Sipas tij, futbolli kosovar në përgjithësi, fatkeqësisht dhe mjerisht është i politizuar. “Për këtë, të gjitha donacionet për klubin Prishtina dhe disa klube të tjera ndalohen, ndërsa disa kanë filluar të përfitojnë”, akuzon nënkryetari i klubit bardhekaltër.
Muçiqi insiston se FC Prishtina i ka zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare në mënyrë të rregullt, e jo gjysmë klandestine, siç tha një ditë më parë Vokrri. Zyrtari i lartë i klubit prishtinas, punën e Vokrrit dhe të ekipit të tij, e konsideron si dështuese
“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është bërë asnjë hap pozitiv për ndërkombëtarizim për futbollin kosovar. Kemi pasur premtime se do të vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, gjithashtu Kanadaja, Brazili, Dinamo e Zagrebit, Bursaspori, Turqia etj. Më pas, zyrtarët e Federatës janë kënaqur duke luajtur me Renovën, nga fshati Gjepçisht, me gjithë respektin që kam për këtë ekip”, vijoi Muçiqi.
Ai thotë se Prishtina nuk është përkrahur kurrë nga Federata, megjithatë e ka bërë të pamundurën që ta prezantojë futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare. Muçiqi përmend njohjen e kartonit të futbollistëve nga FIFA e UEFA, për të cilin iniciator ka qenë Prishtina.
Muçiqi udhëzon që të punohet më shumë brenda në Kosovë, si në rregullimin e infrastrukturës ligjore, në Ligjin mbi sportin, Ligjin për sponsorim, që të ndryshojë statusi i klubeve, nga ndërmarrje tregtare shoqërore në private, para se të mendohet për inkuadrim në FIFA e UEFA.
Muçiqi e ka treguar edhe rrugën se si duhet të shkohet përpara, duke nisur nga mbështetja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për të vazhduar më pas me trysninë që duhet bërë Komitetit të Konfederatave, i cili i propozon UEFA-s, e kjo e fundit, FIFA-s, dhe ajo e merr vendimin i fundit.
“Mua më duket se disa njerëz kanë pasur dëshirë të shkojnë deri në Zurich, t’i bëjnë disa foto dhe të kthehen për herën e gjashtë apo të shtatë me rezultate negative”, përfundoi Muçiqi.