Fate Velaj, këshilltar i diplomacisë kulturore i Edi Ramës

Kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama zbuloi sot edhe emrin e këshilltarit të tij mbi diplomacinë kulturore, i cili do të jetë Fate Velaj, aktualisht diplomat në Vjenë të Austrisë.
Rama e bëri të ditur këtë fakt përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, nga ku bëri një përshkrim të figurës së Fate Velajt, një njeri mjaft i spikatur në diplomaci.
“Para dy vjetësh, presidenti i Parlamentit Europian nderoi me çmimin prestigjioz të “Qytetarit Europian” një shqiptar”, shkruan Rama, transmeton Shekulli online.
Çmimi i posaçëm i Parlamentit Europian iu dorëzua për merita të veçanta në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve në Bashkimin Europian, si edhe ndihmesën e dhënë në nxitjen e mirëkuptimit mes qytetarëve të vendeve të ndryshme të Europës, përmes bashkëpunimit pa kufij.
I ikur nga Shqipëria në kërkim të Tokës së Premtuar, ky shqiptar emigrant nga Vlora bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europe, një histori suksesi mes artit, kulturës dhe politikës.
I diplomuar ne Universitetin e Arteve të Aplikuara ne Vjenë për Menaxhim Arti dhe Kulture, Fate Velaj është organizator i shumë ngjarjeve kulturore nëpër Europë, që kanë prekur vëmendjen e politikës. Ai ka qenë një prej promotorëve më shembullorë të imazhit pozitiv të Shqipërisë në kontinentin e vjetër.
Fate Velaj mori për merita të spikatura disa vite më parë, të drejtën e dynënshtetësisë nga qeveria Austriake dhe se fundmi, iu përgjigj pozitivisht ftesës sime për të qenë këshilltar i kryeministrit në funksion të ambicies sonë për të zhvilluar diplomacinë e shumë prapambetur kulturore”, përfundon Rama. /Indeksonline/