Hoxhaj: Beogradi, adresa e zbardhjes së fatit të të pagjeturve

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Beogradi është adresa e zgjidhjes së çështjes së të pagjeturve, pasi që Serbia është i vetmi shtet që ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë.
Në një shkrim të botuar në gazetën kroate me renome, “Večernji List”, shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar se Beogradi duhet të tregojë rezultate për këtë çështje, duke shtuar se “zgjidhja e saj është shumë e rëndësishme për familjet kosovare”.
Hoxhaj po ashtu ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përmes të cilës, siç ka thënë ai, “Serbia e ka pranuar pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Kosovës”.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se aspirata e Kosovës së pavarur është që të bëhet anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara, duke rikujtuar se pavarësia e Kosovës deri më tani është pranuar nga më shumë se 100 shtete të botës. /Indeksonline/