E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati i buxhetit të Tiranës,PD-LSI: Do rivotojmë kundër

Fati i buxhetit të Tiranës do të vendoset nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila pritet të zhvillohet sot në mbrëmje. PD dhe LSI kanë deklaruar paraprakisht se do të rivotojnë kundër këtij buxheti. 

TIRANE- Debatet për buxhetin e Bashkisë së Tiranës, pritet të marrin fund sot gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak i cili do të rivotojë për miratimin e tij. Megjithatë, premisat nuk janë pozitive për faktin se këshillatrët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe këshilltarët e djathtë, kanë deklaruar se edhe në këtë mbledhje do të votojnë kundër këtij buxheti, me pretendimin se në këtë buxhet nuk janë detajuar fondet që janë parashikuar për investime.
Kryetari i grupit të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni ka bërë të ditur se votat e tyre do të jenë kundër sepse “nuk mund të ketë buxhete të shëndosha nëse nuk respektohen dispozitat ligjore. Të gjitha programet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës janë të palistuara, nuk dihet se ku shkojë 16 milionë euro, pasi asnjë nga investimet nuk është i detajuar”.
Edhe sekretari i LSI, Petrit Vasali është shprehur në të njëjtën formë duke deklaruar se këshilltarët e LSI do të votojnë kundër miratimit të buxhetit të Bashkisë për 2009-ën. Pas deklaratave të tyre ka reaguar menjëhërë Bashkia e Tiranës duke theksuar se buxheti i hartuar është më i miri i 9 viteve të fundit, dhe PD dhe LSI po shpifin duke mbajtur peng Tiranën dhe qytetarët e saj. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që dimë prej 9 vjetësh, punë dhe punë për Tiranën”- ka thënë Shalësi në një deklaratë për mediat.
Ndërkohë ditën e djeshme ka dështuar mbledhja e Këshillit Bashkiak të qytetit të Korcës, në të cilën do të votohej për miratimin e buxhetit për vitin 2009. Bashkimi i këshilltarëve të LSI-së me ata të PD-së kundër votimit të projektbuxhetit, ka bërë që mbledhja të shtyhet në një afat të pacaktuar. Përfaqësuesit e spektrit të djathtë kanë kërkuar më parë që të jepen shpjegime në lidhje me realizimin e investimeve dhe menaxhimin e buxhetit të vitit 2008, përpara se të votojnë për të. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, 3 votat e së cilës janë vendimtare për miratimin ose jo të vendimeve të këshillit bashkiak, kanë reaguar duke u shprehur se në prioritetet e vitit 2009 janë lënë pas dore një sërë objektesh për të cilat kërkohet një ndërhyrje emergjente.

(e.n/News24/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›