E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekreti shtetëror, SHISH kundër Berishës

Nga Gilmana Bushati
Zbardhen vërejtjet e Shërbimit Informativ për ligjin e ruajtjes ndaj spiunazhit industrial. Bahri Shaqiri: "Kryeministri nuk mund të marrë vendime individuale sa i takojnë ankimimeve" 

TIRANE- SHISH kundër Kryeministrit Berisha për vendimin e “Sigurimit të Informacionit të klasifikuar ‘Sekret Shtetëror’ në fushën industriale”, në një pike të të cilit shkelet Kushtetuta e Shqipërisë. Qeveria shqiptare kaloi dje këtë vendim, i cili do të rregullojë marrëdhëniet mes saj, institucioneve shtetërore, që për nevoja “shtetërore” do të hyjnë në marrëdhënie me operatorë të ndryshëm, shtetëror apo privat për projekte që konsiderohen “sekret shtetëror”. Në këto plane parashikohen të jenë projekte në shkencë, teknologji, ekonomi, ushtri. Ndërkohë që institucioni i informacionit sekret kundërshton kompetencat që merr Kryeministri në një nga pikat e vendimit. Bahri Shaqiri, në shkresën dërguar zëvendëskryeministrit Pollo, sqaron shkeljen e Kushtetutës nga ana e Kryeministri, që ligjërohet me pikën 7 të nenit për verifikimin e procedurave. Sipas dokumentit të dërguar në qeveri nga Shaqiri, bëhet e qartë se dokumenti themeltar i shtetit i njeh të drejtën e vendimmarrjes Këshillit të Ministrave si autoritet kolegjial dhe jo Berishës, apo postit të Kryeministrit. Shaqiri kundërshton pikën 7 të kreut të “Procedurave të Verifikimit”, me arsyetimin se “Gjithashtu, po në këtë pikë thuhet se ‘vendimi’ i Kryeministrit është përfundimtar. Por, sipas Kushtetutës, Kryeministri në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra (neni 102/3). Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë vendime dhe udhëzime (neni 100/5 i Kushtetutës). D.m.th, Këshilli i Ministrave si organ kolegjial mund të nxjerrë vendime dhe jo Kryeministri, si organ monokratik”. Ky është citimi i relacionit të SHISH-it që jep mendim për një vendim të tillë, por që nuk është pranuar nga Kryeministri, duke e lënë ashtu siç ishte pikën të cilën kundërshtonte Shaqiri. Kjo verifikohet lehtazi nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku në pikën 7 të kreut të VI vihet në dukje se: “Në rast moslëshimi të certifikatës së sigurimit industrial, DSIK-ja vë në dijeni autoritetin kontraktor, të cilit i parashtrohen arsyet e mospranimit. Në këtë rast, autoriteti kontraktor ka të drejtën e ankimimit brenda 10 ditëve te Kryeministri, vendimi i të cilit është përfundimtar”.
Dje kaloi në qeveri ky vendim, i cili, sipas zyrtarëve të lartë, vjen si nevojë e domosdoshme e vendit tonë, i cili tashmë është anëtar i disa organizmave ushtarakë, kryesisht të NATO-s dhe se do të ketë nevojë për shërbimet e “operatorëve ekonomikë” për realizimin e projekteve të ndryshme, kryesisht në fushën e sigurisë. Shaqiri gjithashtu kundërshton dhe faktin që punonjësit e doganave nuk kanë të drejtë të hapin ngarkesat me informacion të klasifikuar. “Kjo dispozitë lë shteg për abuzime. Në këto raste mund të shikohet mundësia e pajisjes së ndonjë pjesëtari të personelit doganor me certifikatë sigurie”. Në relacionin e Pollos nuk pasqyrohet asnjë nga ankesat e mësipërme të Shaqirit. Ai i jep përgjigje vetëm për çështje të dorës së dytë dhe jo për thelbësoren, pra shkeljen e Kushtetutës në marrjen e vendimit vetëm nga ana e Kryeministrit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›