E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Matoshi, zgjedhet kryetar i AKR-së në Kamenicë

Dega e AKR-së në Kamenicë mbajti sot Kuvendin e tretë zgjedhor ku zgjodhi strukturat e reja partiake.

Koordinatori i deritashëm i zgjedhjeve në Degën e AKR-së në Kamenicë, Fatmir Matoshi u zgjodh kryetar i partisë së Behgjet Pacollit për Kamenicë.

Në fjalën e tij para delegatëve Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, falënderoi të gjithë delegatët dhe qytetarët e Kamenicës për pjesëmarrjen dinjitoze në këtë proces zgjedhor.

“Unë jam krenar me punët që janë bërë deri më tani. E përsëris se në Kamenicë ndihem si në mesin e familjes sime dhe njerëzve të mi. T’ia fillojmë punës, që këto zgjedhje të shërbejnë si shembull i demokracisë, shembull që në vendin tonë duhet të mbretëroj drejtësia. Ne do t`i ofrojmë Kamenicës një program ekonomik, ku do të ketë përqendrim të përhershëm të qeverisë lokale dhe ky vend do të jetë shembull për komunat tjera në Kosovë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka premtuar se AKR dhe ai personalisht do të qëndrojnë afër qytetarëve të Kamenicës.

“Njerëzit këtu t’i lënë emocionet anash dhe të votojnë për vizionin dhe programin. Patriot është ai që krijon vende të reja pune. Ta bëjmë Kamenicën një qytet që to t’ia ketë lakmi secili qytetar i Kosovës. Dhe unë jam shumë i përkushtuar për një Kamenicë tjetër”, ka thënë Pacolli.

“Më kujtohet një fabrikë e kërpudhave këtu, që eksporton deri në Itali. Ne kemi një propozim praktik që në katërvjeçarin e ardhshëm ta ndërtojmë një fabrikë për përpunimin e kërpudhave. Ky është vetëm një hap, dhe hapa të tjerë do të ketë edhe në riorganizimin e administratës publike, në riorganizimin e jetës në fshat, zhvillimin e mëtejshëm ekonomik”, ka thënë Pacolli.

Në emër të bizneseve të Kamenicës Fatmir Krasniqi, pronar i SH.P.K. “Fungo” ka thënë se plani i Presidentit Pacolli meriton të implementohet në Kamenicë.

“Kam pasur rastin të takohem me ministren Mimoza Kusari-Lila dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli dhe i përgëzoj ata për punën që po bëjnë, njëkohësisht plani i tyre për Kamenicën do ta ketë edhe mbështetjen tonë dhe besojmë ta zbatojmë në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Kuvendi i tretë, me 122 vota për, zgjodhi Fatmir Matoshin kryetar të Degës, pasi që kundërkandidati i tij Nebi Sylejmani u tërhoq nga gara duke e mbështetur Matoshin për ta drejtuar degën e partisë në mandatin e ardhshëm.

“Në AKR na bashkojnë vlera, ndershmëria, puna dhe përkushtimi. Të gjithë ne, që jemi sot këtu dhe mijëra të tjerë që janë rreshtuar përkrah AKR-së, do të ecim me njëri tjetrin drejt fitores së përbashkët në Kamenicë, për të zbatuar në komunën tonë projektin e zhvillimit ekonomik, modelin e mirëqenies dhe qeverisjes së pa korruptuar. Në këtë sfidë të vështirë nuk jemi vetëm, jemi të rreshtuar prapa një njeriu që e njeh dhe respekton bota. Jemi të rreshtuar prapa Presidentit Pacolli, dera e të cilit nuk u mbyll kurrë për skamnorët e të sëmurët, kemi një lider që njihet si njeri i inovacioneve dhe zhvillimit te ekonomisë. Jemi krenar mbi të gjitha qe jemi rreshtuar prapa një njeriu që e njeh aq mirë komunën tonë sikurse edhe secili prej nesh”, ka thënë mes tjerash në fjalën e tij kryetari i Degës së AKR-së Fatmir Matoshi.

AKR ka zgjedhur edhe kryesinë e degës prej 17 anëtarësh. Sekretar i degës u zgjodh Nebi Sylejmani, ndërsa nënkryetarë Luljeta Shabani, Zijadin Thaqi, Fadil Gashi dhe Ruzhdi Basha. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›