E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia suspendon 11 veta për arrestimet e truprojave të Vullinit

Që nga koha që po zhvillohen hetimi për siç thuhet keqtrajtimin që u ishte bërë disa serbëve në Graçanicë, të cilët po shoqëronin të ashtuquajturin shef të zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, në ditën e krishtlindjes serbe, janë suspenduar 11 policë të Kosovës, të njësisë speciale ROSU.

Suspendimin e këtij numri të policëve e ka konfirmuar sot, për mediat serbe, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviç. Hetimin për këtë rast është duke e zhvilluar një prokuror i EULEX-it bashkërisht me ekipin të cilin e përbëjnë Inspektorati Policor i Kosovës dhe hetuesit e EULEX-it.

Policia e Kosovës pati arrestuar më 7 janar, pas liturgjisë në manastirin e Graçanicës, dhjetë serbë, të cilët pretendonin se po i ofronin siguri Aleksandër Vulinit, përderisa për sigurinë e këtij të fundit, sipas lejes së qëndrimit në Kosovë, përgjegjëse ishte Policia e Kosovës.

Të ndaluarit u patën mbajtur në paraburgim për 48 orë. Disa nga të ndaluarit, pas lirimit patën akuzuar se gjatë kohës sa ndodheshin në Objektin e Gjykatës në Prishtinë, janë rrahur nga policia./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›