Fatmir Mediu zbërthen lëvizjet e fundit të opozitës: Pse diaspora mund të jetë faktori surprizë në 11 maj

Partia Demokratike dhe 25 forca të tjera politike kanë krijuar “Aleancën për Shqipërinë madhështore” me të cilën do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Negociatat zgjaten deri mesnatën e 3 marsit dhe i fundit që firmosi marrëveshjen ishte kryetari i PDIU, Shpetim Idrizi. Sipas marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe aleatëve; Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta do të ketë 4 kandidatë në pjesën e sigurt të koalicionit; Fatmir Mediu, Angron Duka, Vangjel Dule e Shpëtim Idrizi.
Për të gjithë demokratët që janë skeptikë ndaj partive aleate; Sali Berisha theksoi se këto forca politike kanë votat e veta dhe elektoratin e vet.
Kryetari i PR, Fatmir Mediu, në një lidhje me skype në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi tha se kryetar i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë madhështore” është Sali Berisha.
Z.Mediu u shpreh se nuk ka ende një negociatë konkrete se sa dhe ku do jenë partitë politike. Ai nënvizoi se copëzimi i opozitës krijon disavantazh në zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i PR theksoi se diaspora ka një kuptim tjetër dhe një vlerësim më të madh për zgjedhjet.
Intervista e plotë:
Keni rënë dakord për numrat dhe vendet në listat e aleatëve?
Mediu: Ky koalicion nuk është i drejtuar nga Berisha dhe Meta. Kryetar është Berisha dhe partitë e tjera janë pjesë e koalicionit. Nuk ka një negociatë konkrete se sa dhe ku do jenë partitë politike. Unë mendoj se ka një logjikë të qartë në lidhje me organizimin e koalicionit. Merret pesha elektorale parlamentare në gjendje aktuale dhe pesha rajonale për të ecur në konkurrim. Çdo marrëdhënie që do dëmtonte PD-në do ishte në dëm të fitoreve të zgjedhjeve. Nuk kemi negociuar ku dhe si.
Ky lloj koalicioni nuk është ai që elektorati i djathtë do të dëshironte, duke pasur parasysh se disa forca të djathta kanë mbetur jashtë dhe janë organizuar ndryshe. A është ky një disavantazh për opozitën?
Mediu: Ndarja e opozitës ka qenë e qëllimshme dhe Edi Rama ndryshoi kushtetutën, ligjin zgjedhor si dhe mënyrën e koalicioneve me qëllim që të kishte sa më tepër parti opozitare. Copëzimi i opozitës krijon disavantazh. Ky disavantazh duhet të mbyllet me një aktivizim të gjithë opozitës, për të rritur mundësinë për të fituar zgjedhjet.
Ju keni qenë mjaft aktiv në diasporë, çfarë prisni nga diaspora?
Mediu: Takimi në Milano ishte një surprizë, mijëra njerëz ngelën jashtë, fryma në sallë ishte një gjë që unë s’e kisha parë në takimet politike në Shqipëri. Diaspora ka një kuptim tjetër dhe një vlerësim më të madh, çka do doja të përktheja në regjistrim e gjerë në procesin e votimit. Vota e diasporës është çështje infrastrukture, që nga regjistrimi e duke përfunduar tek numri i votave. Opozita duhet të ketë një fokus të qartë. Për ta bërë këtë duhet identifikuar qarku.
Diskutohet se ju drejtoni një qendër, “Qendra për sigurinë në Evropën Juglindore”. Për çfarë është fjala? Dhe më pas flitet që ju merrni edhe fonde të majme nga qeveria në Tiranë. Cila është e vërteta?
Mediu: Gjithë interesi im ka qenë që të diskutoj çështjet e sigurisë dhe mendoj se Shqipëria ka shumë nevojë. Kjo qendër nuk ka asnjë financim. Do ishte absurde që Edi Rama të financonte Fatmir Mediun. Këto janë aktivitete pa investime. Nuk është paguar asnjë qindarkë, nuk ka asnjë të ardhur nga qeveria. Këtu bëjnë pjesë figura të shquara, dhe është e turpshme që disa njerëz për interesat e tyre lëshojnë baltë.
/vizionplus.tv