E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmira Hajdari: Rivarrimi i Azemit, ringjallje. Të mirëpritur të gjithë për ta nderuar

TIRANE - Dëshmorët e Atdheut nuk u përkasin të majtëve apo të djathtëve. Azemi u përket të gjithëve. Rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, është një vlerësim që i bëhet figurës së tij dhe kontributit të dhënë për pluralizmin në vend…". Fatmira Hajdari, e veja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, që u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg nga selia e Partisë që themeloi, e cilëson si një 'ringjallje' të Azem Hajdarit, nderimin që po i bëhet në 15- vjetorin e vdekjes. Gjykatësja e Apelit nuk heziton të thotë se Azem Hajdari duhet të ishte varrosur si Dëshmor, që ditën që u vra, por sërish sipas saj për njohjen e vlerave dhe kontributeve të një njeriu, sidomos të Liderit të Dhjetorit, nuk është kurrë vonë. E pyetur nëse eksponentët e së majtës do të jenë të pranishëm në ceremoni, znj.Hajdari shprehet se shumë prej personazheve të rëndësishëm brenda të majtës e njohin dhe vlerësojnë kontributin e Azem Hajdarit. Fatmira Hajdari fton gjithkënd që e vlerëson figurën e bashkëshortit të saj, të marrë pjesë në ceremoni për t'i bërë nderimet që sipas saj, Lideri i Dhjetorit meritonte.
Znj.Hajdari është miratuar kërkesa juaj për rivarrimin e bashkëshortit Azem Hajdari në Varrezat e Dëshmorëve. Vendimi vjen 15 vite pas vrasjes, a nuk është një vonesë e pajustifikueshme?
Azemi duhet të ishte varrosur në "Varrezat e Dëshmorëve" që në krye të herës, kur u vra. Megjithatë nuk është kurrë vonë. Në këtë 15- vjetor të vrasjes së tij, rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, është një vlerësim që i bëhet figurës së tij. Rivarrosjen e Azemit në Varrezat e Dëshmorëve mund ta cilësoj si një 'ringjallje' të tij.
Cilat ishin sipas jush kontributet e Azem Hajdarit?
Azemi luftoi me çdo forcë për të mirën e vendit dhe shoqërisë. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm dhe të vyer për demokracinë. Mendoj se gjithkush e di tashmë sesi punoi Azem Hajdari për Shqipërinë. Nuk besoj që në këto 15 vite të keni dëgjuar qoftë dhe një fjalë kundra Azem Hajdarit, përkundrazi gjithkush e ka njohur e ka lartësuar figurën e tij, e ka vlerësuar për punën dhe kontributin e dhënë.
A mendoni ju se ne ceremoni do të jenë të pranishëm eksponentë të së majtës?
Azemi u përket të gjithë shqiptarëve. Në Varrezat e Dëshmorëve nuk ka dëshmorë që i përkasin të majtës apo të djathtës. Mund të them se shumë prej personazheve që sot i përkasin forcës së majtë politike, mund të flasin për vlerat e Azemit, shumë më tepër sesa unë që kalova përkrah tij një kohë të gjatë. Natyrisht pres që gjithsecili prej tyre të vijë në ceremoni për ta nderuar Azemin, që vetëm tani mori vlerësimin që i takonte.
Si ka qenë jeta juaj pa Azemin në një kohë që keni rritur e vetme tre fëmijë?
Është shumë e vështirë që një femër të përballojë e vetme jetën dhe me tre fëmijë për të rritur. Por vlerësimi që po i bëhet Azemit në këtë moment, duket sikur e zbeh gjithë dhimbjen e madhe që kemi përjetuar e përjetojmë ne, na bën të harrojmë çdo vështirësi.
Pas kaq vitesh, a mund të na rrëfesh ndonjë moment të veçantë të jetuar me Azemin?
Në këto 15 vite kam folur shumë për Azemin. Çdo moment i kaluar me të ka qenë i mrekullueshëm. Këtë herë nuk dua të flas shumë gjatë. Do them dy fjalë në ceremoni, aty ku pres çdo shqiptar me gjak e zemër, të vijë e të nderojë figurën e Azemit. Aty ku do të pres miqtë e tij, e gjithkënd që e ka vlerësuar e vlerëson Azem Hajdarin.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›