E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Thaci: Mbledhim në Prizren 2 qeveritë tona, bashkim Kosovë-Shqipëri në qiellin e BE

TIRANË- Intensifikim i bashkëpunimit mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu deklaruan në konferencën e përbashkët, kryeministri i zgjedhur Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci menjëherë pas takimit prej 1 ore që zhvilluan në selinë e PS.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se sot u vendosën piketat e këtij bashkëpunimi që do të kulmojë me një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“Vendosëm piketat e një bashkëpunimi më të intensifikuar. Kemi bindjen që vetëm nëpërmjet këtij intensifikimi ne mund të krijojmë më shumë mundësi për të gjithë shqiptarët.

“Marrëveshja me palën serbe,- tha Rama,- mbylli një epokë dhe hapi një të re, që të gjithë të krijojmë kushte që në këtë hapësirë të re të bashkëpunojmë në të mirë të qytetarëve të rajonit”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, bashkëpunimi do të mbetet rruga e përbashkët drejt rrugës së bashkimit nën qiellin e Europës së bashkuar.

Ai nënvizoi më tej se, “Unë dhe një pjesë e ministrave do të zhvillojmë një vizitë në Prishtinë sapo të formalizojmë qeverinë. Do zhvillojmë një takim dypalësh të përbashkët që do ta kthejmë në një institucion për t’i dhënë shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh”, shtoi ai.

I të njëjtit mendim ishte edhe kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, i cili shprehu besimin e tij dhe të qeverisë që drejton për vizionin që Rama ka për integrimin europian.

“Sot takohem me mikun dhe kryeministrin e ardhshëm. Bashkëpunimi ka qënë i shkëlqyer dhe do vazhdojë të thellohet. Me lejoni t’ju urojmë për fitoren tuaj, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të vlerësuara edhe nga ndërkombëtarët. Kosova ka besim tek vizioni juaj për Shqipërinë Europiane dhe për Kosovën Europiane”, tha Thaci.

Duke u ndalur tek mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, Thaci theksoi se, “Mbledhja e dy qeverive tona do zhvillohet në nëntor, në Prizren. Do punojmë bashkërisht dhe për Shqipërinë Europiane dhe për Kosovën Europiane”, shtoi ai.

THACI MBERRIN NE SELINE E PS
Ora 15:15- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Pas takimit me homologun shqiptar, Sali Berisha në përfundim të mandatit të tij, Thaci mbërriti në selinë e PS, për një tjetër takim me kryeministrin e zgjedhur Edi Rama.

Takimi mes Thacit e Ramës nisi në orën 15:05 minuta.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Hashim Thaci takon Berishën: Kosova të falenderon për mbështetjen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›