E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Lubonja: Takimi me Ramën natën që e rrahën

Është vetëm dy muaj histori, por nga ato që tronditin botën. Në atë fillimi të tmerrshëm të vitit 1997, dukej sikur gjithçka kishte dalë duarsh në Shqipëri. Njerëzit që kishin humbur ato të pakta kursime që kishin, shumëkush edhe shtëpitë, kishin dalë rrugëve për të protestuar. E vetmja gjë që kishin për të humbur, ishte jeta dhe asokohe dukej sikur edhe ajo ishte zhvlerësuar. Pasi kanë kaluar 14 vjet qysh atëherë, publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja, nxjerr një libër të titulluar Nëntëdhjeteshtata Apokalipsi i rremë. Botim i shtëpisë botuese Marin Barleti. Është një rrëfim i detajuar i atyre muajve, nga një njeri që jo vetëm e ka përjetuar atë periudhë si çdo shqiptar tjetër, por ka qenë edhe pjesë aktive e zhvillimeve të kohës. Në vitin e mbrapshtë, Lubonja u zgjodh drejtues i Forumit për Demokraci, një koalicion i partive më të rëndësishme opozitare, krijuar për gjetjen e një zgjidhjeje situatës së krijuar pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri. Duke qenë pjesë e tavolinave, bisedimeve, prapaskenave.. Lubonja rrëfen se çka ndodhur me të vërtetë në ato muaj të vështirë. Është pjesa e padukshme e historisë, ku përmenden emra politikanësh të vjetër e të rinj, të atyre që mbanin postet më të larta të pushtetit, që nga Berisha, Meksi, Shehi, tek ata më të rinj, si Majko, Zogaj, Ceka etj. Lubonja e ka bërë veten personazh dhe preferon të flasë në vetën e tretë, duke e quajtur veten Fatos Qorri. Aty-këtu ai i referohet edhe fletëve të ditarit, të mbajtur aso kohe. Ngjarjet e librit hapen me rrahjen e Edi Ramës dhe Lad Myrtezait, me të cilët vetëm pak para se të ndodhte incidenti, Lubonja kishte qenë në të njëjtën tryezë. Çu bisedua atë natë dhe vizita në shtëpinë e prindërve të Edi Ramës, ku ai shtrihej i plagosur. a.m

FATOS LUBONJA

Te Noeli
Sapo hyri brenda, Qorri hodhi sytë përreth. Lokali ishte përplot me klientë që kishin krijuar një tymnajë të dendur duhani. Në njërin kënd ishin disa oficerë policie. Ca më përtej pa disa aktorë të rinj të teatrit. Tek tryeza e vogël, e mbështetur në shtyllën qendrore të lokali, qe edhe Shvarci me Ditën, një aktore e re bionde që e simpatizonte shumë përkthyesin e famshëm. Diku edhe më në qoshe, në tryezën më të privilegjuar e më të thellë të lokalit, dalloi një nga funksionarët më të lartë të PD-së, zv/kryeministrin Dashamir Shehi, që e kishte shumë qejf rakinë. Tek tryeza më e afërt me derën, gjeti një grup miqsh. Ishte piktori Edi Rama, i cili kishte ardhur për ca ditë nga Parisi ku ishte me një bursë krijimtarie, piktori Lad Myrtezai, gruaja e Edi Ramës, Delina, që rrezatonte energji me zërin e saj të lartë, si dhe aktori Artan Imami me të shoqen, këngëtaren e bukur Rovena Dilo. Të gjithë kishin qenë me lëvizjen antikomuniste në fillim të viteve 90, por ishin ndarë herët me partinë në pushtet. Përveç Rovenës, të tjerët qenë edhe firmëtarët e një peticioni intelektualësh kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë, që kishin përfunduar me rrahjen në sheshin Skënderbej të deputetëve të opozitës, që kishin dalë për të protestuar.
Qorri zhveshi kapotën treçerekëshe, shallin dhe kasketën që e mbante mbrapsht në kokë, i vendosi në varësen aty pranë dhe u ul në tryezën e tyre. Ata ishin në valën e bisedës mbi një përleshje që kishte ndodhur mes policisë dhe demonstruesve tek firmat piramidale që kishte emrin e gruas që e drejtonte, Sudja. Kjo rome, që askush nuk e besonte se mund të merrej me punë të tilla si ngritja e firmave financiare, ishte bërë personazhi i ditës. Pasi kishin pritur më kot të merrnin paratë, njerëzit kishin ngulmuar që Sudja të dilte ti sqaronte. Ajo kishte dalë më në fund në një dritare dhe u kishte thënë: Do tju kthej përgjigje pasi të konsultohem me kompetentin, por do të prisni ca se nesër nisem për pushime!. Lajmi se Sudja do të nisej për pushime, kishte rënë si bombë mes njerëzve që prisnin. Ishte kuptuar se ky qe fundi i shpresës për ti marrë paratë. Kishin dalë të tërbuar në rrugën kryesore dhe kishin filluar të hidhnin parulla kundër qeverisë. Kërkonin të dinin se kush ishte kompetenti. Policia i kishte shpërndarë egërsisht. Në tryezë po thuhej se kompetenti me shumë gjasa ishte vetë Kryeministri Meksi.
Rama, që nuk përmbahej kur fillonte të fliste, i përmendi pushimet e Sudes, duke u tallur me zë të lartë. Disa veta nga tryezat përbri kthyen kokën, ndër ta edhe një prej policëve. Ata u panë sy ndër sy dhe ulën zërat.
Sa mirë që erdhe,- i tha Rama Qorrit, takova sot ata të Aleancës. Të gjithë thoshin se ka ardhur momenti për të bërë diçka, se opozita duhet të vihet në krye të protestave. Pas Sudes, do të bien njëra pas tjetrës edhe piramidat e tjera.
Aleanca Demokratike ishte partia e intelektualëve të zhgënjyer, që ishin shkëputur të parët nga PD-ja. Të gjithë në atë tryezë mbështesnin atë parti. Sipas Ramës, liderët e Aleancës i kishin thënë se qenë dakord të bashkëpunonin me ish-komunistët, dhe të krijonin, sa nuk ishte vonë, një front kundër Berishës. Por donin që Qorri të futej patjetër në këtë front si ish-i burgosur politik i njohur. Kishin biseduar edhe me Kurt Kolën, kryetarin e Shoqatës së të Persekutuarve Politikë, i cili ishte dakord që nisma për krijimin e këtij fronti të merrej nga Shoqata.
Nuk jam personi i përshtatshëm për këtë punë,-u tha Qorri.
Pse?
Më duket se nuk kam prirje të vihem në krye njerëzish. I kam mbështetur ata të Aleancës me shkrime. Sapo kam hartuar dhe një deklaratë dhe një protestë në emër të tyre.
Për çfarë?
Përgënjeshtroj pretendimet e Berishës se nuk kanë pasur dijeni për piramidat. Se kështu po thonë tani: Nuk dinim gjë. Po si ka mundësi? Berisha që ska kursyer asgjë për të na gjurmuar ne, paska lënë pa hetuar këto Piramida! Kam rreshtuar faktet: reklamat që u ka bërë piramidave Radiotelevizioni shtetëror; kërcënimet që bënë bosët e tyre para zgjedhjeve, se po të vinte në pushtet ndonjë parti tjetër, njerëzit nuk do ti merrnin përqindjet e interesit, fushatën e tyre elektorale që qe e mbushur me makinat, flamujt, simbolet e Gjallicës dhe VEFA-s. E mbyll duke thënë se këta njerëz nuk mund të jenë zgjidhësit e krizës , e se nuk mund të na gënjejnë me arrestimin e ndonjë mashtruesi, prandaj duhet ulja në tryezë e të gjitha forcave politike shqiptare.
Po protesta?,-pyeti Delina.
Ua kam nisur atyre të Zërit të Amerikës, për dijeni edhe Ambasadës Amerikane këtu. E kemi me ata pisat, korrespodentët e tyre në Tiranë. Po i përcjellin ngjarjet në mënyrë skandaloze. Janë komplet në shërbim të Berishës. Nuk kanë turp dhe dalin krah për krah me punonjësit e policisë dhe të shërbimeve sekrete në makinat që ushtrojnë dhunë për të shpërndarë turmën.
Mirë ata, po Ambasada çthotë? Au bindën, më në fund, se kjo qeveri sduhet mbështetur?
Harrojeni, ndërhyri Artan Imami, duke tentuar ta ulë sa të mundë zërin e tij të trashë dhe kumbues, për të cilin Rama e qesëndiste duke i thënë ti je vetëm zë.
Pse? – e pyeti e shoqja.
Sepse ambasadorja është me origjinë italiane, mike e ngushtë e Forestit, ambasadorit Italian, një nga njerëzit më të afërt të Berishës.
Mirëpo Edi Rama iu kthye përsëri bisedës që kishte bërë me aleancistët.
Kam shkruar edhe unë në Paris një shkrim,- i tha Qorrit, por sa mbërrita këtu mu duk i tejkaluar, se ngjarjet këtej po rrokulliseshin marramendshëm. Nuk vlejnë më shkrimet dhe deklaratat. Ti duhet të hidhesh në veprim.
Më lër rehat, kam filluar të shkruaj një roman mbi piramidat, – i tha Qorri, do ta titulloj Vapori me sheqer.
Lëre mo vaporin me sheqer se këtu po mbytet vapori me njerëz.
Në bisedë e sipër, panë se zv/kryeministri Shehi u ngrit për të dalë, i shoqëruar nga dy tipat me të cilët ishte në tryezë. Kur u gjend pranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›