Fatos Nano: Nëse nuk zgjidhem president, rikthehem në PS

Ish kryeministri takon ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka takuar për herë të dytë të kandidatin e vetëshpallur për postin e Presidentit të Republikës, Fatos Nano. Takimi është mbajtur në një nga lokalet e kryeqytetit në zonën e ish-bllokut dhe vjen një ditë para seancës parlamentare, kur pritet të caktohet edhe data e zhvillimit të raundit të tretë të votimit në Kuvend për presidentin. Në një prononcim për mediat, Nano ka shprehur ka shprehur bindjen se është optimist se ai mund të zgjidhet si president i vendit. Nëqoftëse ka një garë të lirë dhe të ndershme më lejoni të them se unë jam optimist se do ta fitoj atë”- theksoi ish kryeministri socialist.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë kontaktet me përfaqësuesit e rëndësishëm në vend për të shkëmbyer informacione për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. “Do të vazhdojë të njëjtat kontakte me përfaqësues të rëndësishëm për të shkëmbyer çdo informacion të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit që përveç reformave jetike për vendin të jetë në dobi të integrimit dhe të shuaj tensionet e pranishme mes palëve politike në vend”.
Duke siguruar se ai do të ishte një president mbi palët, Nano tha se do të largohet nga gara presidenciale në momentin që do të zgjidhet Presidenti i ri i Republikës. “Unë besoj se një zgjidhje e pranueshme demokratike por edhe një garë mes përfaqësuesve të dy palëve, nëse nuk është i mundur një konsensus i plotë. Ka një konsensus nga mazhoranca për Zaganjorin që nuk përfshin konsesusin e opozitës. Unë do të largohem nga gara në momentin kur do të zgjidhet edhe presidenti i ri”- tha Nano.
Lideri i së majtës apeloi që emrat e kandidatëve për postin e kreut të shtetit, të mos kthehen në lojë “kungulleshkash” ndërmjet palëve. “Kjo nuk besoj se duhet marrë seriozisht, një lojë kungulleshkash që nuk po arritkan dot për kandidaturën time. Çështjet për të cilat po flasim janë më të rëndësishme se interesat që paraqet Rama dhe Meta. Unë jam i vëmendshëm se çfarëdo iniciative të mos shtojë konfliktet, por t’i zgjidhë”- shtoi Nano.
I pyetur nëse nuk kandidohet si President i Republikës do të vazhdonte të ishte në politikë Nano u përgjigj: “Unë jam në politikë por PS-ja është partia ime e zemrës dhe nëse ajo do vazhdojë të lëngojë siç po vuan unë do të vazhdojë ti kthehem asaj me gjithë zemër”- tha ai. Dy raundet e para të votimit kanë dështuar pasi dy palët kryesore politike në vend nuk kanë arritur të çojnë një kandidat konsensual për kreun e ri të shtetit. Nëse edhe ky raundi dështon, atëherë shanset për një kandidat konsensual janë të pakta. Pas raundit të tretë Presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, me 71 vota.