Qeveria, ndihmë për familjet e aksidentit të Himarës. Këshilli i Ministrave miraton buxhetin faktit 2011

Buxheti i viti 2011 bëri të mundur ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës që do inaugurohet këto ditë, 6 muaj para afatit
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për tu akorduar 1 milionë lekë familjeve të cilat humbën të afërmit e tyre në aksidentin tragjik të Himarës. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria ka vendosur të japë edhe 300 mijë lekë për familjet e të plagosurve. “Qeveria vendos ndihmë për familjet e viktimave në aksidentin e Himarës që sipas ligjit është 1 milion lekë përveç shpenzimeve të varrimit që do mbulohen nga qeveria si dhe 300 mijë lekë për të plagosurit dhe kjo është një ndihmë që synon të lehtësojë sa më pak dhimbjen e tyre”- u shpreh Berisha. Gjithashtu qeveria shqiptarë ka akorduar një fond prej 50 mijë eurosh në ndihmë të qeverisë italiane pas tërmeteve që kanë përfshirë këtë vend gjatë dy javëve të fundit. “Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta, qeverisë dhe familjeve të viktimave dhe duke bashkuar lutjen me këto familje dhe me gjithë qytetarët italianë të prehen në paqe dhe qetësi, qeveria ka vendosur të japë një shumë prej 50 mijë euro në ndihmë të familjeve të dëmtuara. Ndërkohë, ambasada italiane ka hapur dy llogari, dhe thirrja jonë drejt biznesit dhe qytetarëve është të bëjnë kontributet e tyre modeste, ndaj një vendi i cili ka mbështetur këtë vend dhe ka ndihmuar shqiptarët gjatë këtyre 20 viteve”- shtoi Berisha.
Buxheti faktit 2011, një histori suksesi – tuneli i Kërrabës inaugurohet këto ditë
Kryeministri Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2011 si një histori të vërtetë suksesi pasi ka bërë të mundur realizimin e shumë projekteve të mëdha. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se një nga sukseset e këtij buxheti është ndërtimi i tunelit të Qafë Krrabës që sipas tij do të inaugurohet këto ditë. “Ky buxhet bëri të mundur ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Krrabës që do inaugurohet këto ditë, 6 muaj para afatit. Natën në të cilën qeveria u detyra të qëndrojë në parlament për herë të parë deri në orën 5 të mëngjesit për ta bindur opozitën që ta votonte ajo nuk e bëri sepse nuk donte që këtë sukses ta kishte kjo qeveri. Buxheti kaloi dhe u shndërrua në tunelin e Qafë Krrabës”- shtoi Berisha. Sipas tij, buxheti i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit duke ndërtuar mijëra kilometra rrugë si dhe bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Buxheti ishte i bekuar sepse bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe rriti të ardhurat për mbi 8 mijë familje të punësuara dhe pensionistëve dhe kjo në një kohë kur vendet e tjera u detyruan të bëjnë shkurtime”- shtoi Berisha. Kryeministri Berisha tha gjithashtu se ky buxhet do shërbejë si shtysë edhe për buxhetin e vitit 2012 I cili sipas kryeministrit do të sjellë transformimet më të mëdha për vendin. “Nuk është se s`ka vështirësi por ekonomia shqiptare po performon. Ajo u përballë me një dëborë të paparë në fillimit të vitit, u përball me një thatësirë të madhe në diga. Unë dua t’i informoj qytetarët se nga 31 marsi 2011 deri në 2012 prodhimi në hidrocentrale ra dhe ne bëmë gjithçka që të mos kishte mungesë të energjisë. Ne kaluam jo një test por një cunam për sa i përket prodhimit të energjisë pasi ai ra në nivelet më të pabesueshme. Megjithatë ne mobilizuam të gjitha mjetet, importuan në mënyrë të pandërprerë”- tha më tej kryeministri Berisha.