Fatos Nano grupon socialistët, gati shpallja e partisë së re

Lideri historik i së majtës po përgatitet për zyrtarizmin e partisë së re, të cilën e paralajmëroi dy muaj më parë, gjatë debatit për zgjedhjen e Presidentit. Burime pranë lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve”, konfirmojnë se janë në përgatitjet e fundit teksa janë përcaktuar kryetarët dhe nënkryetarët e degëve të partisë së re. Synimi i partisë së Nanos është rimarrja e Partisë Socialiste dhe largimi prej aty i uzurpatorëve të ardhur 7 vjet më parë
Shtypja e mendimit ndryshe në PS, përjashtimi dhe syrgjynosja e disa prej figurave kryesore, po ia bën më të lehtë punën Fatos Nanos, për të formuar partinë e re politike.
Lëvizja e Fatos Nanos për fitoren e socialistëve do të shndërrohet në një forcë politike opozitare e Partisë Socialiste të Edi Ramës. Mësohet se gjatë dy javëve të fundit, Nano dhe mbështetës të tij kanë zhvilluar takime periodike jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme si Durrës, Vlorë, Sarandë, Elbasan etj, për të bashkëpunuar me strukturat e lëvizjes së tij politike. Lideri historik i së majtës, Fatos Nano ka vendosur që platforma e kësaj lëvizjeje të kthehet në platformë partie politike. Ai vetë do të jetë themeluesi dhe kryetari i saj, ndërkohë që emri i partisë ende nuk është bërë publik. Ndërkaq, në të gjitha qytetet dhe rrethet e Shqipërisë janë përcaktuar me detaje kryetarët dhe nënkryetarët e degëve të cilët do të drejtojnë punën e partisë së Nanos jashtë Tiranës.
Një listë paraprake dhe emergjente e mbështetësve të Nanos është ajo ku përfshihen emra e Elmaz Sherifi, Edlira Haxhiymeri, Petro Koçi, Rrapush Tola, Flamur Hoxha, Rajmonda Stefa, Luan Memushi. Bardhyl Agasi, Natasha Paço, Gjergj Koja, Makbule Çeço etj. Nga deputetët që do të bashkohen me Nanon deri tani dihet emri i Kastriot Islamit i përjashtuar nga PS, por edhe pwrfaqwsues tw ish lëvizjes pwr Mendimin Ndryshe nw PS.
Dy muaj më parë, Fatos Nano paralajmëroi lëvizjen politike që synonte bashkimin e të gjithë të përjashtuarve nga PS dhe shndërrimin e saj në parti politike gjatë shtatorit. Pas humbjes së betejës për të qenë pjesë e garës për President të vendit, Nano mblodhi në takime të posaçme ish deputetëve dhe ish drejtues të PS-së në rrethe
Paralajmërimi ishte i qartë, nëse nuk do të këtë reflektim e sinqeritet nga lidershipi aktual i PS, për të shtrirë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, duke i lënë ata jashtë lojës politike, lëvizja e re që do të zyrtarizohet në parti politike, do të penalizojë ecurinë e Partisë Socialiste nën drejtim e Ramës.
Madje, një ish drejtues i lartë i PS, Bardhyl Agasi deklaroi në një nga takimet me Fatos Nanon se Lëvizja “Nano” ka marrë mbështetje të gjerë në bazën socialiste, duke mbledhur rreth vetes socialistët e vërtetë.
Ai shkoi edhe më tej kur deklaroi se, “rimarrja e selisë rozë do të nisë nga Qyteti Studenti, njësoj si vite më parë, kur lëvizja studentore rrëzoi regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha”.