E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini rikonfirmohet si bllokator: S’e votoj imunitetin pa ndryshimet kushtetuese që më duhen

03-09-2012 / Gazeta 55

Pa asnjë skrupull, kryetari i opozitës deklaron se do të presë të gjitha stacionet e diskutimit parlamentar për ndryshimet kushtetuese që i duhen atij, duke paralajmëruar se s’do të ketë votë para tetorit, afat që komprometon marrjen e statusit në 100 vjetorin e pavarësisë

Statusi i vendit kandidat në BE është në rrezik edhe këtë vit, për shkakun e vetëm se opozita s’pranon të votojë në parlament kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Jo më larg se dje, kryetari i PS, Edi Rama u shpreh se grupi parlamentar socialist nuk do të votojë draftin e përbashkët mazhorancë-opozitë as gjatë sesionit të ri parlamentar. Vota “pro” e socialistëve është e kushtëzuar me ndryshimet Kushtetuese, të cilat Haxhi Pishmani ka 2 vjet që i lakmon, duke ngecur te emërimet në gjyqësor. Dje Rama pohoi se pavarësisht çeljes së sesionit të ri parlamentar dhe pamjaftueshmërisë kohore sa i takon marrjes së statusit kandidat, Partia Socialiste mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për ndryshimet kushtetuese. “Nesër nisin edhe punimet e parlamentit. Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Vetëm kështu do t’i hapet rrugë votimit në parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator përpara gjykimit të tetorit në Bruksel për kandidaturën e Shqipërisë për statusin. Po e përsëris edhe sot: Ne jemi pro kufizimit të imunitetit. Aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë për ndryshimin kushtetues mbi imunitetin. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej nesh. Ne i kemi paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë thelbësore të sistemit të drejtësisë. Të drejtësisë që sot është një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Kemi propozuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit. Pra, të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve, për më tepër nga një njeri i vetëm siç ndodh sot dhe të krijohen kushtet për një konsensus më të gjerë parlamentar në përzgjedhjen e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se kjo nuk është as shpikje e jona, as diktaturë e pakicës. Jemi frymëzuar për këtë propozim nga shumë kushtetuta të atyre vendeve të BE ku gjyqtarët i zgjedh parlamenti. Ndaj kush do drejtësi të pavarur, gjyqtarë të aftë moralisht që të gjykojnë edhe politikanët, duhet ta pranojë këtë ndryshim thelbësor që e departizon përzgjedhjen e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme të Shqipërisë”- u shpreh ai.
Sot nis edhe sesioni i ri parlamentar dhe detyra e bazë e parlamentit është të kompletojë 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, për marrjen e statusit të kandidatit. Por, me linjën e shantazhit dhe bllokimit të heqjes së imunitetit në këmbim të pazareve për sistemin e drejtësisë, Rama shkon drejt degradimit politik dhe faktohet si avokat i korrupsionit dhe njëherazi me të i faturon vendit dështimin e tretë radhazi në përpjekje për të marrë statusin e vendit kandidat për integrim në BE. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›