Ruçi: Votoni propozimet e PS. Patozi: Janë paçavure, pretekst për bllokim të statusit
Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar nisi me fjalën hapëse të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila theksoi se ky sesion është shumë i veçantë, pasi do të shënojë edhe 100-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa u shpreh se kryefjala e këtij legjislacioni do të jetë reforma.
“Për shkak të opozitës dështuam me votimin e heqjes së imunitetit. Miratimi i ligjeve të rëndësishme është detyrë e vendosur nga Bashkimi Europian. Shqiptarët e meritojnë statusin kandidat dhe politika duhet të jetë e bashkuar në votimin e ligjeve të rëndësishme”, – tha Topalli.
Topalli theksoi se është e rëndësishme që opozita të japë votën e saj për ligje themelore, pa kontributin e të cilës nuk mund të përmbushen reformat e rëndësishme për të bërë një hap tjetër drejt Europës, qoftë në shenjë nderimi për figura si Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi,
Ndërkohë, në fjalën e tij të parë për këtë sesion, kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi u shpreh se, ky sesion nisi me një president të ri, i cili pa kaluar një muaj nga zgjedhja në detyrë hodhi tri firma politike.
“Presidenti nuk mori nishan kur në krye të KLSH-së zgjodhi një militant partie dhe me një performancë aspak dinjitoze. Nuk mori nishan kur në krye të SHISH vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë, dhe me dy nënshtetësi; nuk mori nishan kur në krye të Forcave Detare dekretoi një ushtarak të lartë të arsimuar për forcat tokësore”, – tha Ruçi.
Më tej kreu i grupit kuvendor të PS nuk i ka kursyer kritikat ndaj mazhorancës, e cila sipas tij nuk është vërtetë e shqetësuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, por për të mbajtur pushtetin e saj sa më gjatë. Ai ka përmendur një sërë reformash, të cilat janë pjesë e 12 rekomandimeve të lëna nga BE, dhe që nuk janë realizuar nga qeveria aktuale. Ruçi i bëri thirrje mazhorancës që të votojnë amendamentet e propozuara nga opozita.
Ku janë rezultatet për çështjen e pronësisë, për luftën nga krimit dhe korrupsionit, për gjykatësit. Mbetet thjesht votohen sa të mbyllet debati për nismën tonë. Kush do drejtësinë e pavarur, gjyqtarë të paanshëm dhe përzgjedhja partiake, le të votojë amendamentet tona, – theksoi Ruçi.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi akuzoi opozitën dhe liderin e saj për bllokim të reformave të rëndësishme për vendin, ndërkohë që deklaroi se mazhoranca nuk do të votojë paketën e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS. Më tej ai ftoi PS të bashkëpunojë për të votuar heqjen e imunitetit më 6 tetor.
Nuk kemi ndërmend ti miratojmë paçavuret e depozituara. Do zbatojmë çdo normë procedurale. Ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama e ka sjellë në kuvend si pretekst për të zvarritur reformat e integrimit dhe mënyrë për të bllokuar statusin, u shpreh Patozi.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ruçi: Votoni propozimet e PS. Patozi: Janë paçavure, pretekst për bllokim të statusit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip